Skip to content
Të Gjitha

Paradoksale! Bulevardi i Ri i Tiranës nga njëra anë ndërtohet, nga tjetra vidhet

· 2 min lexim

Bulevardi i Ri i Tiranës është ndër projektet, ku bashkia ka investuar më së shumti.

Vetëm një nga tre segmentet e tij ka përfunduar punimet.

Ndërkohë, në dy segmentet e tjera vijon puna.

Emisioni “Fiks Fare” ka dokumentuar vjedhjen që po i bëhet disa konstruksioneve metalik të përdorura për të ndarë rrugët e këmbësoreve nga lulishtet që ka ky bulevard.

Këto konstruksione pas vjedhjes shiten në treg të zi për skrap.

Nga pamjet e “Fiks Fare” shihet se një pjesë e mirë e bulevardit të ri është zhveshur nga këto konstruksione metalike.

Madje në disa pjesë ato janë gjysmë të hequra gati për t’u marrë e çuar për shitje.

Këto vjedhje janë padyshim kosto për bashkinë.

Drejtoresha e Investimeve Ilda Qazimllari u shpreh se për këtë problematik i janë drejtuar policisë.

Ajo po ashtu tha se dëmtime në këtë rrugë janë shkaktuar edhe nga përdoruesit e mjeteve për të cilët kanë gjetur zgjidhje.

Kujtojmë se Bashkia Tiranë ka shpenzuar rreth 27 milion euro për ndërtimin e bulevardit, prej të cilave 6 milionë euro janë kostot e parkingut nëntokësor.

Financimi i këtij projekti është bërë i mundur përmes një kredie të fondit Abu Dhabi.