Skip to content
Bota

Pandemia/ Një lajm i mirë vjen nga Gjermania, më pak raste me Covid-19 pas…

· 2 min lexim

Në kulmin e valës së dytë të pandemisë që ka prekur Europën, kur shumë prej shteteve po njohin një rritje të rasteve të të infektuarve, një lajm i mirë vjen nga shteti më i fuqishëm.

Gjermania ka raportuar se rritja e rasteve me coronavirus duket se po ngadalësohet.

Sot qendra e kontrollit të sëmundjes së vendit raportoi se shifra kryesore e “riprodhimit” ka rënë nën 1 në 0.89, sipas Institutit “Robert Koch” me qendër në Berlin.

Sipas analizimit që bënë kjo qendër, do të thotë se, 100 njerëz po infektojnë 89 të tjerë: një shenjë që infeksionet e reja po bien.

“Kurba është duke u rrafshuar”,- ka thënë kreu i RKI-së, Lothar Wieler, duke treguar se “ne nuk jemi të pashpresë kundër këtij virusi”.

Ai shtoi se, kufizime të tilla si distancimi shoqëror dhe mbajtja e maskave, mund të ndihmojnë në ndalimin e “marshimit” të COVID-19.

“Ne duhet të parandalojmë që situata të përkeqësohet”,- ka shtuar Wieler, duke theksuar se qëllimi i Gjermanisë, është të ulë numrat e infeksioneve në një nivel që sistemi i kujdesit shëndetësor mund të përballojë.

Gjermania raportoi 21,866 infeksione të reja gjatë 24 orëve të fundit, sipas të dhënave të RKI-së për të enjten.

Numri i përgjithshëm i rasteve tani qëndron në 727,553, me një numër të vdekurish prej 11,982.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka paralajmëruar se, vetëm kur 60 deri në 70% e popullsisë të ketë arritur imunitetin, mund të konsiderohet se COVID-19 është “kapërcyer pak a shumë”.

Më parë këtë muaj, qeveria gjermane vendosi masa të reja bllokimi për të ngadalësuar përhapjen e virusit.

/Burimi: DW/GazetaReforma.com/