Edhe Kosova njësoj si shumë vende të botës po përballet me pandeminë e Covid-19 që prej muajit mars.
Deri më tani Kosova është një ndër vendet e pakta që ende nuk ka pranuar asnjë vaksinë antiCOVID, teksa u tha se vaksinat e para pritet të arrijnë gjatë muajve të ardhshëm, gjë e cila mbetet të shihet se sa do të jetë e realizueshme. Por që nga muaji mars e deri më sot janë konfirmuar 1.426 raste të vdekjes.
Sipas lajmi.net vetëm në Komunën e Prishtinës mësohet se numri i të vdekurve si pasojë e këtij virusi është 214, ndërsa 1 mijë e 169 pacientë po marrin trajtim shëndetësorë në spital. Në kuadër të Prishtinës numri i të shëruarve nga COVID-19 ka arritur në mbi 20 mijë e 748 persona.
Ndërsa në qytetin e Ferizajt që nga muaji mars deri më tani kanë humbur jetën 89 qytetarë.Numri i të vdekurve sipas raportimit zyrtar nga IKSHPK për pacientët ferizajas të infektuar me Sars-Cov-2 (COVID-19) është 89 qytetarë. Numri i pacientëve që po trajtohen në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt nga ky virus është: 44 të hospitalizuar, 10 të pakonfirmuar, 22 të konfirmuar pozitiv dhe 12 negativ. Numri i të shëruarve nga ky virus ka arritur në 2 mijë e 391 persona.
Në qytetin e Gjakovës situata me COVID-19 vazhdon të jetë mjaftë e rëndë, ku tani për tani janë mbi 173 raste aktive. Nga muajt e parë të vitit të kaluar deri sot numri total i rasteve me koronavirus ka arritur në 2 mijë e 255.
“Numri total i të shëruarve në Gjakovë është 1979, janë 186 raste aktive dhe trajtimi shëndetësorë në kuadër të Spitalit Rajonal të Gjakovës po vazhdon. Trajtim janë duke marrë 46 pacientë”, u tha në përgjigjen e dhënë nga Komuna e Gjakovës.
Sa i përket të dhënave në nivel vendi, janë gjithsej 5 mijë e 324 raste aktive me COVID-19, e numri i përgjithshëm i personave të cilët u dyshuan për këtë virus nga marsi deri më sot është 213.372.