Ekonomia shqiptare u rrit me 5,53% në tremujorin e parë të vitit. Sipas Institutit të Statistikave, rritja ekonomike u mbështet sidomos nga kontributi i sektorëve të industrisë, me 2,56%, i ndërtimit me 1,09% dhe arsimit e shëndetësisë, me 0.97%.
Nga ana tjetër, performancën zhgënjyese shfaqi bujqësia, që ishte pothuajse në të njëjtin nivel prodhimi me tremujorin e parë të vitit të kaluar. Ndërkohë, sektorët e tregtisë, transportit dhe turizmit, aktivitete me peshë mjaft të lartë në ekonominë shqiptare pësuan rënie, pa mundur të rimëkëmbet nga efektet e krizës, shkruan Monitor.
Në mënyrë të detajuar sipas sektorëve, aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit pati një rritje me 0,09 %; aktiviteti i Industrisë, Energjisë dhe Ujit pati një rritje me 23,81 %; aktiviteti i Ndërtimit pati një rritje me 16,87 %; grupi i aktiviteteve Tregti,Transport, Akomodim dhe Shërbim ushqimor pati një rënie prej 0,93 %; grupi i aktiviteteve Informacioni dhe
Komunikacioni u shfaq me rritje prej 4,94 %; aktiviteti Financiar dhe i Sigurimit ka shënuar një rritje prej 16,94 %; aktiviteti i Pasurive të Paluajtshme ka shënuar një rritje prej 8,65 %; grupi i Aktiviteteve profesionale dhe Shërbime administrative u shfaq me një rënie prej 3,14 %; grupi i aktiviteteve të Administratës Publike, Arsimit dhe Shëndetësisë u shfaq me rritje prej 7,45 %. Grupi i aktiviteteve Arte, argëtim dhe çlodhje; grupi i aktiviteteve të tjera të shërbimit pati një rritje me 7,79 %.
Sipas komponentëve kryesorë të kërkesës agregate, ecurinë më pozitivë këtë tremujor e shfaqën sërish investimet, të lidhura sidomos me procesin e rindërtimit dhe aktivitetin e ndërtimit në përgjithësi.
Konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 1,49 %, konsumi final i qeverisë u rrit me 5,16 %, komponenti i Formimit bruto të kapitalit fiks u rrit me 21,11 %, eksportet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 0,66 %, ndërsa Importet e mallrave dhe shërbimeve u rritën me 7,55 %.
Ekonomia shqiptare regjistron kështu të dytin tremujor radhazi me rritje pozitive, pas kishte kaluar pesë tremujorë në rënie, të shkaktuar kryesisht nga pasojat e tërmetit të nëntorit 2019 dhe të pandemisë që preku vendin në mars 2020. Kjo konfirmon projeksionet pozitive dhe përmirësimet e aktivitetit ekonomik për shkak të një efekti në rënie të pandemisë.
Rritja e lartë është sigurisht edhe efekt i bazës së ulët krahasuese, sepse ekonomia vitin e kaluar pësoi rënien më të fortë në 23 vitet e fundit. Të dhënat sektoriale tregojnë se rritja është mbështetur nga ecuria e mirë e sektorit të ndërtimit, edhe falë procesit të rindërtimit pas tërmetit të 2019. Gjithashtu, shpenzimet e për shëndetësinë, pasojë direkte e pandemisë, kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në rritjen ekonomike.