Paketa antishpifje: Shtatë organizata ndërkombëtare letër Kuvendit: Rishikoni ligjin, po injoroni ‘Venecian’

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Të shqetësuar nga raportimet për një përpjekje nga deputetët e Partisë Socialiste për të përdorur një teknikalitet ligjor me synimin e miratimit të ligjit anti-media pavarësisht kundërshtive vendëse dhe ndërkombëtare, shtatë organizata të të drejtave të njeriut i dërguan një letër të hapur Parlamentit të Shqipërisë të mërkurën.

BIRN ka zbuluar emrat e shtatë organizatave të cilat i kërkojnë parlamentit që të heqë dorë nga ligji aktual dhe të nisë procesin nga e para, emrat e tyre vijojnë si më poshtë:

Qendra Eurpiane për Lirinë e Shtypit dhe të Medias (ECPMF), ARTICLE 19, Federata Europiane e Gazetarëve (EFJ), Shtypi i Lirë pa Kufi (FPU), Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), Observatori i Ballkanit, Kaukazit Transeuropian (OBCT) dhe Organizata e Medias për Europën Juglindore (SEEMO).

Në letrën e publikuar në faqen e internetit të ECPMF-së thuhet se arsyeja e kësaj letre është për të ngritur shqetësimin mbi planet e Kuvendit për të injoruar problemet e ngritura nga Opinioni i Komsionit të Venecias dhe për të nisur një proces transparent që trajton rekomandimet e Komisionit të Venecias.

“Ne po ju shkruajmë për të shprehur shqetësimin tonë të rëndë mbi planet e dukshme të Kuvendit të Shqipërisë për të injoruar problemet e ngritura nga Opinioni i Komisionit të Venecias nr. 980/2020 i 19 qershorit 2020, duke kërcënuar më shumë lirinë e shtypit dhe lirinë e shprehjes dhe informimit në Shqipëri.Ne ju nxisim ju të rimendoni për procedurën e ligjit aktual dhe në vend të kësaj të nisni një proces transparent që krijon një legjislacion të përshtatshëm që trajton të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venecias dhe përfshin shoqërinë civile dhe përfaqësues të medias përgjatë të gjithë procesit.”

Shqetësimi i organizatave lidhet me faktin që parlamenti ka në axhendë të shqyrtojë ligjin vetëm në kuadër të nenit 86 të Rregullores së Kuvendit, e cila sanksionon se parlamenti duhet të trajtojë vetëm shqetësimet e ngritura nga dekreti i presidentit Meta.

Organizatat vërejnë se dekreti i presidentit nuk përfshin të gjitha shqetësimet e ngritura nga Opinioni i Komisionit të Venecias, gjë që do të sillte për rrjedhojë një ligj jo në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Paketa “Anti-Shpifje” është miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë javën e fundit të dhjetorit edhe pse ndaj saj kishte reagime të forta si nga opozita dhe komunitetet ndërkombëtare të gazetarisë.

Ky ligj është konsideruar si një çensurë ndaj fjalës së lirë nga gazetarët, të cilët zhvilluan edhe një protestë.

Shpërndaje
Share.

Komento