‘Paguan 3 herë më shumë taksa në 5 vitet e fundit’/ Rama krahason shifrat me qeveritë e tjera. A po i justifikon ‘Oligarkët’?

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën me një pasqyrë pagesash të taksave për 10 bizneset më të mëdha në vend, sipas të cilit, këto kompani kanë paguar taksa 3 herë më shumë gjatë qeverisjes së tij.

Mëngjesin e sotëm, kryeministri Edi Rama, nëpërmjet një postimi në “Facebook”,  shprehej se 10 bizneset më të mëdha në vend, kanë paguar taksa 3 herë më shumë në 5 vitet e fundit.

Ai ka publikuar disa shifra sipas të cilave, nga viti 2006-2013, këto biznese kanë paguar 13 miliardë lekë taksa, ndërsa nga 2014-2019 kanë paguar 39 miliardë.

Kreu i qeverisë thekson më tej se, “oligarkët” kanë paguar 3 herë më shumë taksa në 5 vite, se sa në të gjitha vitet e qeverisjeve të mëparshme.

Por vetëm dje “GazetaReforma.com” publikoi lajmin që një prej bizneseve të afërta me qeverinë, konkretisht kompania “Rozara Fish sh.p.k”, e biznesmenit të vetëquajtur “oligark”, Gjergj Luca, mori me koncesion për 30 vite liqenin e Butrintit.

Ndërkohë në të gjitha ditët kemi publikuar me dhjetëra raste kur kompani dhe oligarkë të ndryshëm afër qeverisë marrin me koncesion ose fitojnë tendera që shkojnë në miliona euro, pas asnjë lloj gare.

Po ashtu ka edhe raste kur biznesmenë afër qeverisë, të konsideruar nga opinioni si “oligarkë”, ndikojnë deri në ndryshimin e projekteve madhore infrastrukturore për interesat e tyre, siç ishte rasti i tunelit të Llogorasë, të cilin po përflitet se e ka fituar tashmë një kompani e afërt me biznesmenin Samir Mane, i cili do ta nxjerrë atë pikërisht mbi resortin e tij në Palasë.

Rastet e favorizimeve dhe përfitimeve të parave të taksapaguesve nga oligarkët me petk biznesmeni në vitet e qeverisë socialiste por edhe më parë janë të shumta, ndërkohë që pagesa e taksave, edhe pse mund të jetë rritur, nuk është justifikim për të treguar se ekonomia e vendit nuk është nën oligopolin e disa kompanive apo individëve me lidhje politike.

Ja postimi i plotë i kryeministrit Edi Rama në profilin e tij në Facebook:

“MIRËMËNGJES  dhe me këtë të dhënë krahasuese, e cila tregon fare qartë se “oligarkët” kanë paguar 3 herë më shumë taksa në 5 vjet, se sa në të gjitha vitet e qeverisjes së atyre që shpifin e shpifin që diçka të mbetet, ju uroj një ditë të mbarë  *** termi “oligark” në Shqipëri s’ka asnjë lidhje, sepse në Shqipëri nuk ka asnjë lloj oligarkie dhe këmbë oligarku, kështu që kush e përdor ose manipulon publikon ose thjesht e përdor siç përdorej dikur fjala “kulak”, por pa lidhje”.



/GazetaReforma.com/

 

Shpërndaje
Share.

Komento