Janë zbardhur detaje të reja nga atentati i rëndë i ndodhur në Balldren të Lezhës, ku mbetën të vrarë bashkëshortët Kreshnik dhe Gentjana Mujeci. Policia ka identifikuar tre autorët e dyshuar të krimit, ndërsa pamjet e kamerave të sigurisë hedhin dritë mbi mënyrën se si u realizua ekzekutimi.
Bëhet fjalë për Florin dhe Renato Mhillaj, si dhe për Adriano Mhillajn, të cilët janë shpallur në kërkim. Sipas hetimeve paraprake, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur për motive hakmarrjeje.
Nga pamjet e siguruara dhe burime pranë hetimit rezulton se e gjithë ngjarja ka zgjatur pak më shumë se një minutë. Autorët nuk mbanin maska dhe kanë vepruar me gjakftohtësi të plotë gjatë sulmit, duke treguar një organizim të qartë dhe të planifikuar.
Sipas të dhënave zyrtare, autorët janë shtetasit A. M., 22 vjeç, F. M., 36 vjeç dhe R. M., 23 vjeç, të tre banues në Lezhë. Hetimet tregojnë se viktima ishte mbajtur nën vëzhgim dhe sulmi ishte organizuar në detaje.
Ngjarja ndodhi më 26 prill 2026, rreth orës 14:50, në rrugën Balldren Torovicë. Persona të armatosur qëlluan me armë zjarri në drejtim të automjetit tip Audi që drejtohej nga Kreshnik Mujeci, ku udhëtonte edhe bashkëshortja e tij. Si pasojë e të shtënave, çifti humbi jetën në vend.
Policia bën me dije se një automjet tip Audi A4 ka ndjekur lëvizjet e Mujecit, ndërsa një mjet tjetër tip Volkswagen pa targa i ka prerë rrugën dhe më pas është hapur zjarr me breshëri në drejtim të automjetit.
Pas identifikimit të autorëve, policia ka ushtruar kontrolle në disa banesa dhe ambiente të tjera, por pa arritur t’i lokalizojë. Operacioni për kapjen e tyre vijon me përfshirjen e forcave speciale RENEA dhe strukturave të tjera operacionale.
Ndërkohë, vijon puna për gjetjen dhe sekuestrimin e automjeteve dhe armëve të përdorura në krim, ndërsa hetimet po zhvillohen nën drejtimin e Prokurorisë për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Nga verifikimet rezulton se në tetor të vitit 2017, Kreshnik Mujeci ishte arrestuar si i dyshuar për vrasjen e shtetasit Genci Mhillaj në Shkodër, por në vitin 2018 u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Shkodrës për mungesë provash bindëse.








