Drejtësia gjermane ka nxjerrë para gjykatës Mikheil Biniashvili, një nga figurat kyçe të rrjetit ndërkombëtar të mashtrimit me call center. Ai është arrestuar, ekstraduar dhe po gjykohet për një skemë që ka shkaktuar qindra milionë euro dëme ndaj qytetarëve evropianë. Në të njëjtin rrjet ka vepruar edhe Amant Josifi, por ndryshe nga ortaku i tij, Josifi nuk është sot para drejtësisë shqiptare. Ai nuk është arrestuar, nuk është ndaluar, nuk i janë sekuestruar pasuritë dhe ka arritur të largohet nga vendi pa asnjë pengesë reale nga institucionet.
Ky dallim është thelbi i problemit. Në Evropë ndiqet zinxhiri deri te koka. Në Shqipëri zinxhiri këputet qëllimisht para se të prekë emra të rrezikshëm politikisht.
Amant Josifi nuk është thjesht një sipërmarrës call centerash. Ai ka qenë ish-këshilltar i Ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe ish-ortak biznesi i Olsi Ramës, vëllait të kryeministrit. Pikërisht këtu drejtësia shqiptare ndalon. Për Josifin nuk ka hetim pasuror serioz, megjithëse ligji ia lejon dhe ia imponon SPAK-ut këtë veprim. Kompanitë e tij në Shqipëri vazhdojnë të jenë aktive, me aktivitete të gjera ekonomike, pa asnjë masë sigurie, pa asnjë sekuestrim, pa asnjë pezullim.
Ndërkohë, SPAK ka zgjedhur të çojë në gjyq dhjetëra administratorë dhe punonjës të rangut të ulët, duke ndërtuar narrativën e “goditjes së krimit”, ndërsa ka shmangur me kujdes figurat qendrore dhe rrjetin e parave. Peshqit e vegjël përfundojnë në bankën e të akuzuarve. Bosët dhe lidhjet e tyre politike mbeten të paprekshme.
Rasti i Olsi Ramës e zhvesh këtë mekanizëm. Kur emri i vëllait të kryeministrit u përfshi në hetime, reagimi nuk ishte institucional, por politik. Kryeministri kushtëzoi hapur përmbushjen e detyrimit të tij kushtetues me fatin penal të vëllait, duke ushtruar presion publik mbi SPAK-un. Ky presion prodhoi rezultatin e pritur. Olsi Rama u shpall i pafajshëm, edhe pse vetë SPAK pranoi se hetimet nuk kishin përfunduar.
Ky ishte vendim mbrojtjeje. Sepse një hetim real ndaj Olsi Ramës do të çonte pashmangshmërisht te bizneset, te ortakëritë, te financimet dhe te lidhjet që shkojnë përtej një individi të vetëm. Do të çonte te mënyra se si pushteti dhe biznesi ndërthuren për të garantuar imunitet.
Ndërsa drejtësitë evropiane arrestojnë, gjykojnë dhe ndjekin paratë, në Shqipëri drejtësia ndalet sapo prek familjen e pushtetit. Amant Josifi mbetet i lirë sepse është nyje. Olsi Rama shpallet i pafajshëm sepse është vijë e kuqe. SPAK vepron poshtë, por ngrin lart.
Për sa kohë që këta emra mbeten jashtë çdo hetimi real, çdo fjalë për barazi para ligjit është një gënjeshtër e hapur.








