Skip to content
Kryesore

21 Janari drejt mbylljes, Spartak Braho: Berisha përfundon në burg brenda tremujorit të parë 2026

· 2 min lexim

Ish-deputeti Spartak Braho deklaroi se dosja e 21 Janarit është në fazën përfundimtare dhe se ish-kryeministri Sali Berisha pritet të përfundojë në burg shumë shpejt për ngjarjet e rënda të vitit 2011.

Deklaratat Braho i bëri në emisionin Frontline InterviewReport TV, ku u diskutuan zhvillimet në drejtësi dhe skenarët politikë për vitin 2026.

“Berisha është i ngarkuar. Shpresoj që brenda tremujorit të parë të 2026, çështja e Berishës të zgjidhet dhe parashikoj që Berisha do të shkojë në burg për 21 Janarin. Kjo çështje përthith çdo çështje tjetër. I del dhe i tepron 21 Janarin Berishës”, u shpreh Braho.

Ai theksoi se hetimi i SPAK ka siguruar prova kyçe, duke nënvizuar se serverat e pretenduar të fshirë nuk janë zhdukur, pasi sipas tij janë rikuperuar nga autoritetet amerikane.

Duke komentuar dëshmitë e administruara nga SPAK, Braho veçoi dëshminë e ish-presidentit Bamir Topi, të cilën e cilësoi thelbësore për zbardhjen e plotë të çështjes.

“Dëshmia e Topit është konkrete dhe plotëson të gjithë kuadrin e çështjes. Duke qenë president, ai është në dijeni të shumë gjërave. Natyrisht pati edhe përplasje me Berishën, i cili e quajti ‘puçist’”, tha Braho.

Ndërkohë, për dëshminë e Ilir Meta, ish-deputeti u shpreh skeptik, duke vënë në dyshim peshën e saj në hetim.

“Nuk e di për çfarë ka folur Meta, por nuk besoj se ai mund të dijë diçka pikante që t’i shtohet hetimit. Meta nuk është në pozicionin që ta rëndojë Berishën”, deklaroi Braho.