Skip to content
Politikë

Opozita protestë para Bashkisë Tiranë

· 1 min lexim

Sot, përpara Bashkisë së Tiranës, opozita do të zhvillojë një tjetër protestë ku do të kërkojë dorëheqjen e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Ky i fundit është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme për katër vepra penale, përfshirë mosdeklarimin dhe fshehjen e pasurisë, pastrimin e produkteve kriminale dhe korrupsionin aktiv dhe pasiv.

Opozita ka organizuar disa protesta kundër Veliajt, duke e akuzuar atë për përfshirje në disa skandale të mëdha si çështja e inceneratorit të Tiranës, shembja e Teatrit Kombëtar dhe dosja “5D”.

Përfaqësuesit dhe mbështetësit e opozitës e cilësojnë Veliajn si një abuzues që ka keqpërdorur fondet dhe taksat e qytetarëve të Tiranës. Për këtë arsye, ata i bëjnë thirrje që të japë dorëheqjen dhe të përballet me drejtësinë.

Protesta do të nisë në orën 11:00 përpara Bashkisë së Tiranës. Drejtuesi politik i opozitës për Tiranën, Belind Këlliçi, ka bërë thirrje për një pjesëmarrje masive.