Ndërsa hija e SPAK po afrohet gjithnjë e më shumë mbi kryebashkiakun aktual të Tiranës, Erion Veliaj, një lojë e re pushteti po zhvillohet në prapaskenë. Ish-ministri Blendi Klosi, i cili duhet të jetë nën hetim për një sërë aferash korruptive, po pozicionohet si pasardhësi i mundshëm në krye të Bashkisë. Ironik është fakti se pikërisht të njëjtët oligarkë që për vite mbështetën Veliajn, tani po kalojnë në anën e Klosit.
Shkatërrimi i Veliajt
Dosja e Veliajt në SPAK konsiderohet ndër më të mëdhatë në historinë e administratës vendore shqiptare. Mes aferave të panumërta ku është i përfshirë kryebashkiaku, SPAK aktualisht ka në fokus pasuritë e familjes së Veliajt e sidomos të vëllait të tij.
Kompania e Arbi Veliajt, “Gogel”, është vetëm një prej instrumenteve prej të cilëve Veliaj ka përfituar, ku SPAK ka përqëndruar momentalisht hetimet. Përmes kësaj kompanie, kryebashkiaku ka vjedhur nga fondet e Bashkisë Tiranë dhe jo vetëm.
Nga një biznes modest me fitim 10 milionë lekë, “Gogel” u transformua në një gjigant me xhiro 3.4 miliardë lekë dhe fitime që arritën 520 milionë lekë, menjëherë pasi Erioni mori pushtetin. Skema është e qartë: kompanive që marrin tendera nga Bashkia u kërkohet të përdorin shërbimet e marketingut të “Gogel”. Çdo aktivitet dhe event i Bashkisë me sponsorët kthehet në mundësi për të derdhur para në llogaritë e kompanisë së Arbit.
Klosi dhe synimi për fronin e Bashkisë
Teksa Veliaj po shkon drejt SPAK, një ndër të korruptuarit më të mëdhenj të qeverisë, Blendi Klosi, po përgatitet të marrë frenat e Bashkisë. I përfshirë thellësisht në afera të panumërta, nga inceneratorët te bizneset e fshehura me hotele, historia e tij me oligarkët është po aq e thellë sa e Veliajt.
Marrëveshjet e Klosit me oligarkët janë të panumërta. Në një sërë aferash që ne kemi raportuar më herët, përfshihet vendimi për fundosjen e anijes Y-21 përballë kompleksit “Green Coast” të Samir Manes, ku shkarkoi madje edhe zv.Komandantin e Flotës që guxoi ta kundërshtonte. Projekti “Smile Albania” është një tjetër shembull i përdorimit të fondeve publike për të promovuar ekskluzivisht kompleksin privat të Manes. Këto janë vetëm disa episode që tregojnë se si Klosi ka punuar vazhdimisht për interesat e oligarkëve.
Lidhjet e Klosit me oligarkët shtrihen edhe në sektorin e medias, ku përmes një sistemi të sofistikuar reklamash dhe favoresh, ai ka arritur të sigurojë heshtjen e koordinuar për skandalet që e prekin.
Strategji e dështuar
Sot, kur një numër i madh ish-kryetarësh bashkie dhe funksionarësh të PS ndodhen në burg dhe kur ish-kryeministri Berisha është në arrest shtëpie, bëhet e qartë se heshtja është një strategji e dështuar.
Historia ka treguar se të gjithë do të përfundojnë në SPAK për aferat korruptive – këtij fati nuk i shpëton dot askush. Pyetja është vetëm nëse do të “flasin” përpara se të shkojnë, apo do të detyrohen të “flasin” kur të jenë brenda.
/gazetareforma.com