“Nuk na lanë të shijonim pushimet”: Pronari i “Gega Oil” reagon pas lajmeve se ishte arratisur

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Ditën e sotme në media ka qarkulluar një lajm ku thuhej se administratori i “Gega Oil”, Paulin Gega është larguar nga Shqipëria për t’iu shmangur detyrimeve ligjore dhe akuzave të ngritura nga policia.

Lajmi i cili duket me natyrë gati tendencioze ka prekur drejtuesit e kompanisë “Gega Oil”  dhe ata kanë reaguar menjëherë nga Greqia.

Në një deklaratë për mediat, Gega mohon akuzat dhe thotë se kompania nuk ka kryer asnjë shkelje apo kundravajtje penale as në aspektin evaziv apo të të ashtuquajturës ‘Fshehje e të ardhurave apo të pasurisë’.

“Jemi nisur për pushime verore në Greqi, më datë 09.08.2019, pushime të cilat janë rezervuar rreth dy muaj më parë të një agjenci turistike në rrugën Fortuzi, Tiranë, ku dhe mund ta verifikoni fare lehtësisht”, shprehet Paulin Gega.

Më tej ai shpjegon se lajmin e ka marrë vesh nga portalet pasi kishte mbërriur në Greqi.

“Sot ndërkohë jemi njoftuar në mënyrë indirekte pas lajmeve që kishin shpërthyer nëpër portale e gazeta të ndryshme, ku pretendohej se administratori i kompanisë Genklaudis sha, ishte larguar qëllimisht për t’iu shmangur përballjeve ligjore”, shprehet administratori.

Më tej Paulin Gega shton se kontrolli i nevojshëm është ushtruar dy ditë më parë në magazinat e tyre dhe ndërprerja e aktivitetit ka qenë për vetëm disa orë.

“Ne mund t’ju konfirmojmë që në njërën nga magazinat tona fiskale të shitjes me shumicë, që ndodhet në Vrinë, Durrës, është ushtuar një kontroll para dy ditësh, ku ka pasur një ndërprerje të aktivitetit vetëm për disa orë, me pretendimin se kasat e shitjes ishin të vendosura në regjim manual, pavarësisht se ne posedojmë certifikatën e kalibrimit të regjimit automatik, e lëshuar sipas ligjeve në fuqi nga firma certifikuese e fiskalizimeve A.E Distribution shpk në vitin 2012!
Mbas verifikimeve nga organet kompetente, u bë zhbllokimi i këtij stacioni shitjeje dhe aktiviteti ka vazhduar normalisht.
Pra, kompania jonë nuk ka kryer asnjë shkelje apo kundravajtje penale as në aspektin evaziv apo të të ashtuquajturës ‘Fshehje e të ardhurave apo të pasurisë’”, tregon administratori.

Paulin Gega tregon se aktiviteti i tyre vazhdon normalisht në të gjithë Shqipërinë dhe se kompania e tyre është ndër 10 tatimpagueset më të mëdha në vendin tonë.

“Gjithashtu ju komunikojmë me përgjegjësi të plotë morale dhe korporative që aktiviteti i firmës tonë vazhdon pa ndërprerje në të gjithë Shqipërinë.

Kompania “Genklaudis sha” është një ndër 10 tatimpaguesit më të mëdhenj në Shqipëri, me mbi 83 stacione shitjetje në të gjithë vendin dhe me mbi 500 punonjës, e gatshme për të vënë në dispozicion çdo dokumentacion kundrejt çdo institucionin shtetëror dhe ligjor dhe të përgjigjet deri në shkallën më të lartë të drejtësisë”, përfundon Paulin Gega.

Shpërndaje
Share.

Komento