Skip to content
Të Gjitha

Nuk kanë fund problemet për faqet qeveritare, çfarë njofton AKSHI

· 2 min lexim

Përsëri faqet qeveritare nuk hapen lehtësisht nga ana e qytetarëve.

Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare ka bërë me dije se si pasojë e sulmeve kibernetike të kryera së fundmi, do të kryhej një operacion për mirëmbajtjen e sistemeve të institucioneve publike.

Në njoftim thuhet se kjo mund të sjellë vështirësi në aksesin e qytetarëve në faqet qeveritare.

“Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit u bën me dije qytetarëve shqiptarë se sot në orën 14:00 deri në 23:59 do të kryejë një operacion mirëmbajtje të sistemeve dhe faqeve zyrtare të institucioneve publike.

Kjo ndërhyrje në vazhdën e përballjes me pasojat e sulmit kibernetik, do t’i shërbejë përmirësimit të mëtejshëm në dhënien e shërbimeve publike online. Kërkojmë mirëkuptimin e të gjithëve nëse gjatë ditës së sotme mund të hasni vështirësi në aksesin e çdo faqeje publike”, shkruhet në njoftimin e AKSHI-it.

Kujtojmë që Portali qeveritar e- Albania u bllokua me datë 17 korrik teksa AKSHI njoftoi që po përballen me një sulm të sofistikuar kibernetik nga jashtë.

Por pas 4 ditësh në gjendje pezull dhe krijimit të shumë problematikave tek aksesimi i shërbimeve nga ana e qytetarëve, erdhi një lajm pozitiv nga Kryeministria.   1118 shërbime elektronike nga 1225 në total u bënë funksionale dhe mund të përdoren nga qytetarët shqiptarë.

Vlen të theksojmë se edhe para sulmit kibernetik, bllokimi dhe vonesat e krijuara nga portali e-Albania kanë shkaktuar penalitete, kosto shtesë, kaos dhe vështirësi të panumërta