Skip to content
Të Gjitha

Njihet si “Niku i Mojos”, policia i sekuestron  700 mijë euro 33-vjeçarit nga Elbasani

· 2 min lexim

Ditën e djeshme, policia i ka vendosur sekuestro preventive, pasurive prej mijëra euro të 33-vjeçarit nga Elbasani.

Bëhet fjalë për Kreshnik Musabelliun, i cili zotëron një pasuri prej 700 mijë euro. I riu ka një nga palestrat më luksoze në Elbasan. Njihet ndryshe edhe si “Niku i Çufos”, pasi Çufo quhet edhe palestra e tij.

Po ashtu Musabelliu ka edhe studion muzikore “Mojo”, me të cilën ka bashkëpunuar me disa nga këngëtarët më të mëdhenj shqiptarë si Agon Amiga, Cozman, Alar Band, Onat.

I njohur ndryshe si edhe si “Niku i Mojos”, Kreshnik Musabelliu lidhet me emrin e Besnik Brakës, më saktë është nipi i tij. Braka është dënuar nga Gjykata e Krimeve të Rënda si i akuzuar për trafik të lëndëve narkotike.

Njoftimi i policisë

Finalizohet operacioni “Invest”, për sekuestrimin e pasurive të përfituara nga aktiviteti kriminal

Vendoset sekuestro preventive ndaj pasurive të paluajtshme  në pronësi të 33-vjeçarit, që arrijnë vlerën e rreth 700 000 Eurove.

Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, në kuadër të hetimit të procedimit penal të regjistruar pranë kësaj Prokurorie, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, gjatë paradites së sotme u finalizua operacioni policor i koduar ” Invest”, për vendosjen e sekuestrove preventive ndaj pasurisë së 33-vjeçarit M. K.,

Në kuadër të operacionit u kryen veprimet procedurale dhe u vendos sekuestro preventive për pasuritë e paluajtshme, të cilat dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal, si më poshtë:

-1 apartament me sipërfaqe 350 m2

-1 truall me sipërfaqe 5000 m2.

-1 ndërtesë 200 m2

-1 automjet

Nga vlerësimi paraprak i pasurive të sipërshënuara, rezulton se ato arrijnë vlerën e rreth 700 000 Eurove.

Në bashkëpunim me Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, po vijojnë hetimet dhe verifikimet, për evidentimin e pasurive të tjera të luajtshme dhe të paluajtshme në emër të këtij shtetasi.

Policia e Shtetit është e vendosur për të gjurmuar, evidentuar dhe sekuestruar çdo pasuri a vlerë monetare, që rrjedh nga aktivitet kriminal.