Ngre dyshime se e kanë nxjerrë në pritë, apeli i gruas së Eri Zefit: Më ndihmoni të vë drejtësi

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Eri Zefi u ekzekutua pak ditë më parë në afërsi të Rrugës së Kombit dhe më pas trupi i tij u hodh në kanal.

Gruaja e tij, 22-vjeçarja turke Nazli Zefi, rrëfen vuajtjet, pas humbjes së burrit, shkruan “Panorama”.

Ajo shprehet se fëmija i saj 4 muajsh po rritet pa baba, për shkak të gjakmarrjes.

Nazli tregon se Eri kishte frikë për jetën, pasi i vëllai, Ndue Zefi, vrau komshiun e tij, Martin Ndrecën në Durrës.

Më tej ajo ka ngritur dyshime se burrin e saj e ka nxjerrë dikush në pritë.

Ndër të tjera ajo shton, se burri i saj u tërbua, pasi mori vesh se ç’kishte bërë i vëllai.

“Burri im ka humbur jetën pa pasur asnjë faj. Fëmija im 4 muajsh rritet pa baba, ndërsa unë nuk di kush e ka vrarë. Gjysma e provave janë lënë në vendngjarje. Nuk arrij ta kuptoj se si gjakmarrja bëhet për njerëz të pafajshëm. Kam shkuar te vendi ku i ka dalë shpirti burrit tim për të vendosur lule dhe me qenë afër shpirtit të tij, por aty gjeta plumbat që ranë mbi trupin e Antonit. Burri im kishte boll frikë për gjakmarrje, çdo natë binte të flinte me mendime dhe me lot në sy. Ama, me e dërgu burrin tim deri atje në kanal ku nuk ka asnjë njeri dhe me ma humb, kjo nuk është gjakmarrje. Ai që ka bo gjakshkelurin nuk është burrë. Edhe Policia e ka lënë ekspertizën përgjysmë. Kunati im, Ndue Zefi, e ka vrarë Martin Ndrecën para njerëzve dhe është dorëzu në Polici duke pranu vrasjen. Kur ka ndodhur konflikti mes Ndue Zefit dhe Martin Ndrecës, Martini e ka marrë burrin tim në telefon sepse kanë qenë shokë. Por ne ishim në gjumë dhe asnjëri nuk e ka dëgju telefonin. Kur burri mori vesh çfarë kishte bërë i vëllai, u tërbua. Nuk iu besonte se kjo mund të ndodhte mes shokëve. Çdo natë më thoshte: ‘Është gjynah që Nduja ndodhet në burg dhe s’mundet me pa fëmijët e vet, por ma gjynah se Martini nuk ka. Martini s’mundet më kurrë me i marrë fëmijët e tij në krahë, s’ka më keq’. Atë dhimbje që ka pas familja e Martinit atëherë, atë dhimbje kemi ne tani, sidomos unë me djalin 4 muajsh. Nuk jam t’u arrit me kuptu për ata që ma kanë vrarë burrin. Burri im s’ka pas kurrë konflikte me shokët, as me njerëz të tjerë. Ai ishte i urtë, ka ndihmu njerëzit kur kishte mundësi”, shprehet 22-vjeçarja turke.

Në fund ajo ka bërë apel për ndalimin e gjakmarrjes, pasi po merr jetë njerëzish të pafajshëm.

“Shqipëria s’duhet të ketë gjakmarrje te njerëz të pafajshëm. Ju lutem, më ndihmoni që të vihet drejtësi për burrin tim dhe për të gjithë ata që kanë humbur jetën të pafajshëm për shkak të gjakmarrjes”, përfundon ajo.

Shpërndaje
Share.

Komento