“Ngjarje e rëndë në sistemin e drejtësisë”, KLP kërkon hetim disiplinor për Arjan Ndojën

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka reaguar për herë të parë, në lidhje me atentatin ndaj Prokurorit Arjan Ndoj.

Nëpërmjet një letre dërguar Prokurores së Përgjithshme, Arta Marku, KLP kërkon nisjen e një hetimi disiplinor, për të zbuluar nëse Ndoja ka kryer apo jo shkelje disiplinore.

Ngjarjen e 5 ditëve më parë, KLP e cilëson një ngjarje tepër të rëndë në radhët e drejtësisë.

Në shkresën drejtuar Arta Markut, thuhet, se nëse është i vërtetë informacioni se Ndoja ka një studio ligjore, atëherë do të përbënte shkelje disiplinore.

Shkresa e KLP:

Tiranë me datë 6.11.2019

Lënda: Kërkesë për nisjen e hetimit disiplinor

PROKURORIT TË PËRGJITHSHËM

T I R A N Ë

E nderuar znj. Marku,

Ngjarja e ndodhur në datën 01.11.2019, në mbikalimin e Shkozetit, ku u qëllua me armë zjarri ndaj makinës së prokurorit Arjan Ndoji, dhe si rezultat i atentatit mbetën të plagosur, prokurori Arjan Ndoji, shoferi i tij, Andi Maloku si dhe një person tjetër i identifikuar me emrin Aleksandër Laho, është një ngjarje e rëndë në rradhët e magjistratëve si dhe të sistemit të drejtësisë në vend.

Nisur nga të dhëna paraprake si dhe nga një prononcim dhëne për median A2 Neës nga prokurori Ndoji, bëhet me dije fakti që prokurori drejton prej kohësh një studio ligjore ku ofron konsulencë ligjore për cështje të ndryshme. Ky fakt nëse do të rezultonte i vërtetë, do të përbënte shkelje disiplinore të parashikuara në nenin 103 pika a dhe ç, të ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Neni 160/5 i Ligjit 96/2016“Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” si dhe nenit 194/2 gërma ç, i Ligjit 115/2016“Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ngarkojnë Prokurorin e Përgjithshëm me detyrën qe të hetojë të gjitha pretendimet për shkeljet disiplinore në rradhët e prokurorëve për sa kohë nuk është krijuar Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë.

Sa më lartë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, bazuar në nenin 119 të ligjin 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, kërkon nga ana Juaj, nisjen e një hetimi disiplinor ndaj prokurorit Arjan Ndoji, duke gjykuar nëse janë konsumuar apo jo prej tij shkeljet disiplinore të parashikuara nenin 103 pika a dhe ç, të ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Mbetemi ne pritje te gjetjeve dhe propozimeve Tuaja.

Duke Ju falenderuar për bashkëpunimin.

Pesë ditë më parë, makina brenda së cilës ndodhej Ndoja, Aleksandër Laho, i njohur ndryshe si “i forti i Sukthit” dhe shoferi Andi Maloku, u qëllua me breshëri automatiku.

Si pasojë e të shtënave, të tre personat që ndodheshin brenda mbetën të plagosur.

Ndoja dhe Laho janë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa gjendja e Malokut është e rëndë, pasi ka marrë plumba në mushkri dhe shpinë.

Në lidhje me atentatin, policia ka arrestuar Redi Rrajën, ndërsa ka shoqëruar dhjetëra të tjerë.

Shpërndaje
Share.

Komento