Janë zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes që ndodhi mbrëmjen e shkuar në Tiranë ku mbeti i plagosur një 15-vjerçar. Ishte nëna e të miturit e cila ka folur me detaje se si ndodhi ky incident që rrezikoi jetën e djalit të saj.
Mamaja e të miturit ka treguar para grupit hetimor se gjatë një debati në familje, njëri prej kunetërve ka qëlluar në drejtim të tjetrit dhe plumbat kanë kapur djalin e saj.
Tre vëllezër të familjes Pëllumbi jetonin në një banesë private një katëshe me tre hyrje, ku secili kishte hyrjen e tij. Dy nga vëllezërit që ishin binjakë Florent dhe Nazmi Pëllumbi kanë pasur një konflikt për motive të dobëta me njëri-tjetrin dhe janë zënë në oborrin e banesës dhe më pas kanë ndërhyrë pjesëtarë të tjerë të familjes Pëllumbi për t’i ndarë.
Në atë moment Nazmi Pëllumbi ka shkuar në banesë ka marrë automatikun dhe është kthyer në oborrin e banesës për të qëlluar drejt vëllait binjak Florent Pëllumbi. Dëshmitarët kanë deklaruar në polici se i kanë parë duke i tërhequr armën njëri-tjetrit. Ndërsa 15-vjecari që mbeti i plagosur nuk ka qenë në banesë kur ndodhi konflikti, ai ka qene jashtë dhe ka dëgjuar zhurmën që po konfliktoheshin xhaxhallarët dhe është nisur për t’u futur brenda në oborrin e shtëpisë.
Në momentin që është afruar të porta kryesore e banesës dhe për t’u futur në oborr e kanë kapur plumbat.
Nga pamjet që ka policia duket që i mituri është jashtë dhe teksa hap portën për t’u futur në oborr ku po konfliktoheshin xhaxhallarët e kapin 3 plumba, një në kraharor dhe dy në krah.
I mituri është plagosur para derës së shtëpisë, plumbat kanë çarë llamarinën e portës dhe kanë goditur të miturin.
Sipas saj, konflikti mes të dyve ka nisur fillimisht për shitjen e lëndëve narkotike kokainë, debat që ka degraduar deri në nxjerrje arme.
Bazuar në këtë deklaratë, policia ngre dyshimet se vëllezërit binjakë janë përfshirë në shitjen e kokainës.
Në vijim të veprimeve për këtë rast policia ka shpallur në kërkim shtetasin Nazmi Pëllumbi, 29 vjeç, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë”, “Plagosja e rëndë nga pakujdesia” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ndërkohë është arrestuar shtetasi Florant Pëllumbi, 29 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij u gjet një sasi kokaine, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Zbardhet ngjarja, xhaxhai i 15-vjeçarit qëlloi drejt vëllait të tij, arrestohet