Skip to content
Kosovë

Ngërçi politik, sot seanca e 37-të për konstituimin e Kuvendit

· 2 min lexim

Për të 37-ën herë me radhë, deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhen për të vazhduar përpjekjet për konstituimin e përbërjes së re parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit.

Procesi vijon të zvarritet për shkak të mungesës së konsensusit për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

As në seancën e fundit, të 36-ën me radhë, nuk u arrit votimi për krijimin e një komisioni që do të mbikëqyrte procesin e fshehtë të votimit për kreun e Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje, që ka dalë fituese në zgjedhje, këmbëngul se Glauk Konjufca është kandidatura e saj e vetme për këtë post. Por përfaqësuesit e PDK-së dhe AAK-së e konsiderojnë atë një figurë përçarëse dhe kërkojnë që LVV-ja të propozojë një emër tjetër.

Ndërkohë, LDK-ja ka propozuar një qeveri uniteti përmes një plani me 15 pika, duke ftuar të gjitha partitë politike për të dalë nga bllokada institucionale.

Ky propozim është refuzuar nga LVV-ja, ndërsa PDK-ja dhe AAK-ja janë shprehur të gatshme të formojnë qeveri pa përfshirjen e saj.

Katër muaj pas zgjedhjeve, Kosova vazhdon të mbetet pa institucione të reja, në një klimë përplasjesh dhe mospajtimesh të thella politike.

Deputetët duhet të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët e Kuvendit për të mundësuar nisjen e procesit të formimit të Qeverisë.

Presidentja Vjosa Osmani ka shprehur shqetësim për vonesat, duke theksuar se bllokimi i konstituimit të Kuvendit dëmton kredibilitetin e institucioneve dhe përpjekjet e Kosovës drejt integrimit euroatlantik.