Është tmerrësisht e trishtë dhe e padrejtë. Lidhja mes vrasjes së Martin Canit dhe asaj të fundit të Erald Xhejos në Maliq është një model që po përsëritet. Në vend që këto tragjedi të shërbejnë si pikë kthese për shoqërinë dhe institucionet, ato thjesht regjistrohen si lajme të rënda që me kalimin e ditëve zbehen. Refreni është i njëjtë: një fëmijë humb jetën në mënyrë brutale, komuniteti tronditet e proteston për pak ditë, mediat e pavarura e mbajnë çështjen gjallë ndërsa ato të kapurat e mbulojnë, institucionet shtiren sikur hetojnë, por në fakt zvarritin procesin dhe në fund dosja harrohet, autorët shpëtojnë ose marrin dënime qesharake.
Në rastin e Martin Canit, kjo u pa qartë. Drejtësia jo vetëm që nuk e çoi procesin deri në fund, por u përpoq të heshtë ata që guxuan të mbajnë gjallë kujtesën e ngjarjes. Sistemi ngrihet jo për të ndëshkuar krimin, por për të trembur zërat që e denoncojnë. Kjo është padrejtësi dyfish: ndaj viktimës që nuk merr drejtësi dhe ndaj shoqërisë që mëson se jeta e një fëmije nuk ka vlerë nëse shteti vendos ta harrojë. Martini u vra dy herë: një herë nga thika dhe një herë nga harresa.
Por ai nuk është i vetmi. Aureljo Dervishi u vra në mars 2024 dhe autorët e tij, tre të mitur, u liruan vetëm një vit më pas, me justifikimin cinik të “përfundimit të afatit procedural”. Në Gramsh, të miturit që vranë Fatjon Bicin dolën të lirë po njësoj, me të njëjtën skemë: shty procesin, pluhuros dosjen dhe pastaj thuaj se “nuk ka më vepër penale”. Procesi i Martin Canit është duke shkuar drejt të njëjtit fund: seanca që shtyhen pafund, prokurorë që flenë mbi dosje, institucione që heshtin. Dhe tani kemi rastin e Erald Xhejos në Maliq, vetëm 14 vjeç, që rrezikon të kthehet në një tjetër viktimë të kësaj skeme: me shtyrje, me pluhur mbi dosje dhe me autorë që përfitojnë nga mosveprimi.
Në thelb, po ndërtohet një “jurisprudencë e heshtjes”: kur viktima është fëmijë dhe autori i mitur, drejtësia nuk funksionon. Kur je “i fortë” dhe ke “miqtë e duhur”, dosja plaket derisa faji tretet. Refreni shqiptar i drejtësisë: shtyje sot, harroje nesër, liroje pasnesër.
A do të ketë vallë rasti i Erald Xhejos ndonjë ndryshim? Apo do të trajtohet si të tjerët, duke u harruar dhe duke u përdorur “mosha e mitur” si alibi? Nëse Martini nuk mori drejtësi, nëse Aureljo dhe Fatjoni u harruan, çfarë shprese ka ngelur që Eraldi të mos ketë të njëjtin fat? Frika më e madhe është që në vend të drejtësisë, do të shohim sërish të njëjtën strategji të njohur: shtyrje pas shtyrjeje, derisa dosja të bëhet pluhur dhe krimi të relativizohet.
Sepse ky shtet po na mëson çdo ditë se nuk ka dallim mes jetës së një fëmije dhe një procedure që mund të vonohet me muaj e vite. Një politikë e heshtur: të mos ndëshkosh krimin, sidomos kur është i kryer nga të mitur, që trajtohen si “të falshëm”. Praktikisht, kjo është dritë jeshile për krime të tjera.
Kemi të bëjmë me shkatërrim të moralit kolektiv. Një fëmijë i vrarë nuk është numër në një raport policie. Është dështimi më i madh i një shteti që nuk di të mbrojë jetën. Kur një shoqëri pranon të kalojë në heshtje vrasjen e fëmijëve, ajo pranon të shndërrohet në një vend ku çdo krim është i falshëm.
Drejtësia për një fëmijë të vrarë nuk është luks, është minimumi njerëzor. Dhe nëse ky minimum nuk garantohet, atëherë kemi dështuar si shtet dhe si shoqëri. Çdo shtyrje e seancës, çdo dosje që pluhuroset, çdo ministër që hesht, është bashkëfajtor në vrasjet e ardhshme.
Sepse pa drejtësi për Martinin, pa drejtësi për Aureljon, për Fatjonin dhe për Eraldin, ky vend do të prodhojë shumë Martinë të tjerë. Dhe këtë herë, nuk do t’i ketë vrarë vetëm thika e një adoleshenti. Do t’i kemi vrarë të gjithë ne, me heshtjen tonë!