Reforma në drejtësi, përfshirë këtu edhe procesin e vetting-ut, tashmë është bërë si një klishé në fjalorin e gjuhës shqipe. Një investim i madh amerikan i cili u propagandua me “shpatë” nga qeveria aktuale.
Mirëpo, a po zhvillohet reforma në drejtësi ashtu siç duhet, njësoj për të gjithë?
Deri më tani janë të shumtë gjyqtarët dhe prokurorët të cilët nuk e kanë kaluar vetting-un, duke krijuar kaos në sistemin e drejtësisë. Mijëra dosje presin të gjykohen, ndërkohë që parashikohet që numri i gjyqtarëve të shkarkuar nga detyra të rritet.
Një prej tyre është edhe gjyqtari i Apelit, Amarildo Laçi, i cili shumë shpejt pritet të dalë përpara jurisë. Vështirë të thuhet se ka shanse t’ja hedhë pa lagur.
Dosjet e pa gjykuara ende “kanë zënë pluhur” pasi numri i gjyqtarëve sa vjen e ulet, mirëpo në rastin e Laçit nuk është kjo arsyeja. Ai njihet si një gjyqtar i cili e ka metodë shtyrjen e proceseve dhe vonimin e gjykimit për çështje të ndryshme, por këto nuk janë të vetmet akuza që rëndojnë mbi të.
Laçi është një prej atyre gjyqtarëve që nuk meriton të përgëzohet, për shkak se mbi të rëndojnë akuza jo të vogla.
Kujtojmë që në vitin 2016 ai dha vendimin për lirimin e tre anëtarëve të bandës së Cërrikut, të akuzuar për vrasjen e gjashtë gardistëve dhe plagosjen e 16 të tjerëve në vitin 1997. Asokohe kjo ngjarje u cilësua si masakra e Cërrikut. (Lexo këtu)
Mirëpo nuk mbaron me kaq. Po të kthehemi pas në kohë, në vitin 2008 u arrestua në flagrancë me 10 pistoleta ‘mini-blow’ shtetasi Kujtim Laçi, i akuzuar për trafik armësh.
Kujtim Laçi është djali i xhaxhait të gjyqtarit të Apelit, Amarildo Laçi, i cili në atë kohë mbante postin e gjyqtarit të Apelit për Krimet e Rënda.
Asokohe pati një reagim nga Ministria e Brendshme, gjë që la të kuptohej se në lidhje me këtë çështje do niste një hetim, kjo për shkak se Amarildo dhe Kujtim Laçi ishin shumë të afërt familjarisht.
Sot, 12 vjet pas ngjarjes në fjalë, ende nuk ka një përgjigje zyrtare nga autoritetet, nëse ka nisur apo jo një hetim për Amarildo Laçin.
Gazetareforma.com ka kontaktuar me institucionet përkatëse dhe është në pritje të një përgjigjeje.