Skip to content
Të Gjitha

Nesër mblidhet Samiti i Sofjes, punimet do t’i hapë një shqiptare, në krah të Merkelit

· 2 min lexim

E marta shënon një moment të rëndësishëm për vendet e Ballkanit Perëndimor pasi do të zhvillohet Samiti i Sofies në Bullgari, i cili është vazhdimësi e procesit të Berlinit. Takimi do të drejtohet nga ish-ministrja Majlinda Bregu, e cila kurorëzon punën dyvjeçarë në krye të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal, me qendër në Sarajevë.

Shqipëria do të përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama. Pjesë e këtij samiti do të bëhet dhe kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti. Tema kryesore e këtij takimi të liderve të rëndësishëm të rajonit dhe Europës do të jetë Tregu i Përbashkët Rajonal – Katalizator drejt Tregut të Bashkimit Evropian.

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, samiti do të zhvillohet online dhe do të drejtohet nga Bullgaria e Maqedonia.

Treshja që do të hapë zyrtarisht samitin që mbahet në kuadër të Procesit të Berlinit është kancelarja gjermane Angela Merkel, Sekretarja e Përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunimin Rajonal Majlinda Bregu (gjatë 2 viteve të fundit RCC është një prej institucioneve më të rëndësishme në rajon) dhe Komisioneri për Zgjerimin, Olivér Várhelyi.

Në seancën plenare që nis në orën 11:25 dhe ku diskutohet Tregu i Përbashkët Rajonal do të flasin të gjithë krerët e delegacioneve, pjesë e procesit të Berlinit. Kryeministri Edi Rama mësohet se do të mbajë fjalën e tij pas Presidentit francez Emanuel Macron dhe Presidenti të Malit të Zi, Milo Gjukanoviç.

/GazetaReforma.com/