Negociatat për paqe, përfundon takimi trepalësh në Stamboll

Takimi trepalësh mes përfaqësuesve të Ukrainës, Shteteve të Bashkuara dhe Turqisë është zhvilluar sot në Pallatin Dolmabahçe të Stambollit, dhe ka zgjatur rreth një orë, sipas burimeve nga Ministria e Jashtme turke.
Ky raund diskutimesh u zhvillua si një fazë përgatitore për negociatat e ardhshme mes Moskës dhe Kievit, që pritet të ndërmjetësohen nga Ankaraja në mesditë.
Në takim morën pjesë figura të larta diplomatike dhe politike. Delegacioni amerikan u përfaqësua nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, ambasadori në Ankara, Tom Barrack, dhe Përfaqësuesi i Posaçëm për Ukrainën, Keith Kellogg.
Ndërsa pala ukrainase u drejtua nga shefi i kabinetit presidencial, Andriy Yermak, ministri i Mbrojtjes, Rustem Umerov, dhe zëvendësministri i Jashtëm, Andriy Sybiga. Mikpritës dhe ndërmjetësues i bisedimeve ishte ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan.
Takimi në Stamboll konsiderohet një lëvizje e rëndësishme në përpjekjet ndërkombëtare për të rifilluar kanalet diplomatike dhe për të gjetur një zgjidhje politike për luftën në Ukrainë.
Raundi i ardhshëm i negociatave, me pjesëmarrjen e Rusisë dhe Ukrainës, pritet të jetë një test i qëndrueshmërisë së përpjekjeve për paqe në një klimë gjithnjë e më të tensionuar ndërkombëtare.