Prokuroria zviceriane kërkon të nisë procedim penal ndaj drejtuesit të saj, Michael Lauber. Prokuroria po heton takimin që Lauber ka zhvilluar me Gianni Infantino, kreu i FIFA-s.
Në vitet 2016 dhe 2017, Lauber dhe Infantino kanë zhvilluar tre takime të pa protokolluara teksa prokuroria zviceriane po hetone akuzat për korrupsion ndaj FIFA-s, për zhvillimin e Kampionatit Botëror të 2018-ës në Rusi dhe të 2022 që do të zhvillohet në Katar.
Për kreun e FIFA-s ka nisur procedimi penal, ndërkohë që e njëjta procedurë kërkohet të niset edhe për drejtuesin e Prokurorisë Federale të Zvicrës për shpërdorim detyre, shkelje të sekretit zyrtar, favorizim dhe nxitje për këto vepra penale.
Michael Lauber gëzon imunitet pasi është në detyrë deri në vitin 2021, por prokurori i posaçëm i është drejtuar Parlamentit me kërkesë për t’i hequr imunitetin kryeprokurorit.