Bonusi i bebeve, një shpërblim financiar për nxitjen e lindshmërisë që nisi të aplikohej në vitin 2019, nuk duket se përmbushi qëllimin për nxitjen e lindjeve në vend.
Në mënyrë sistematike vit pas viti gati gjysma e shumës është përfituar nga bebet e lindura jashtë vendit. Qeveria shqiptare u shndërrua në një financues i lindurve jashtë vendit, pavarësisht se bebet u regjistruan formalisht në Shqipëri sa për të përfituar shpërblimin.
Ministria e Shëndetësisë raportoi se vitin e kaluar bonusi u shpërnda për 42,504 bebe, prej të cilave 17,816 ose 42 % kishin lindur jashtë vendit.
Gjithsej buxheti i shtetit financoi lindjen e bebeve më 3.1 miliardë lekë (27 milionë euro), ku gati gjysma kanë shkuar për familjet e emigrantëve shqiptare jashtë vendit.
Vitin e kaluar brenda Shqipërisë lindën vetëm 24,688 foshnja, teksa bonusi u shpërnda për më shumë se 42 mijë bebe. Në vitin 2022 lindjet brenda vendit shënuan rënie te fortë me 9 për qind, ndërsa në raport me vitin 2019 kur nisi shpërndarja e bonusit pësuan rënie me mbi 13%.
Në janar të vitit 2019 qeveria nisin dhënien e ndihmës së menjëhershme financiare (bonusi) për nënat me foshnja të porsalindura. Për fëmijën e parë bonusi ishte 40,000 lekë, për fëmijën e dytë e dytë 80,000 lekë dhe fëmijën e tretë 120,000 lekë për lindjen e fëmijës së tretë dhe fëmijëve të tjerë në vijim;
Për nënat që lindin binjakë, masa e përfitimit është 80 000 (tetëdhjetë mijë) lekë për secilin fëmijë, ndërsa për nënat që lindin trinjakë dhe më shumë, masa e përfitimit do të jetë në masën 120 000 lekë për secilin fëmijë. Vendimi i qeverisë ka përcaktuar se ndihmën e menjëhershme financiare e përfitojnë edhe nënat shtetase shqiptare për fëmijë të lindur jashtë vendit dhe të regjistruar sipas afateve ligjore të përcaktuara në ligjin për gjendjen civile.
Nëpunësi i gjendjes civile, i atashuar pranë institucioneve të shërbimit spitalor ku kryhet lindja, kryen veprimet e verifikimit on-line të statusit të nënës dhe regjistron fëmijën e lindur në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile (RKGjC) të vitit 2010.
Duke qenë se bonusi po përfitohet masivisht nga bebet e lindura jashtë vendit, Ministria e Shëndetësie la iniciuar një projektligj të ri që korrigjon dhënien e bonusit për fëmijët e lindur jashtë. Ndryshimet e reja ligjore targetojnë bonusin vetëm për bebet që lindin brenda territorit shqiptare dhe jo për të gjitha lindjet që regjistrohen tek gjendja civile.
