Skip to content
Të Gjitha

Në Apel pas 5 muajsh, sot hidhet shorti për dosjen e Tahirit

· 1 min lexim

Dosja e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri ka kaluar në Apelin e Gjykatës së Posaçme.

Sot në mesditë pritet të hidhet edhe shorti për të përcaktuar gjyqtarët, që do të kenë në dorë dosjen e tij.

Në shtator të 2019-ës, Tahiri u dënua për “Shpërdorim detyre” nga Gjykata e Krimeve të Rënda.

Brenda 15 ditëshit, vendimi u ankimua si nga avokati i tij, por edhe Prokuroria.

Pas 5 muajsh dosja më në fund ka kaluar në Apel.

Kjo vonesë ka ndodhur për shkak të konsumimit të të gjitha mënyrave proceduriale për të njoftuar të pandehurin tjetër, ish-shefin e policisë së Vlorës, Jaeld Çela.

Ky i fundit u gjykua në mungesë, ndërsa edhe sot e kësaj dite nuk është arrestuar ende.

Saimir Tahiri u dënua me 3.4 vite burg për “Shpërdorim detyre”, por gjykata vendosi që dënimin të konvertohet në 3 vite në shërbim prove.

Gjatë kësaj kohe, Tahiri nuk duhet të kryejë vepra penale, apo të takohet me të dënuar.