Ndikimi në mjedis/ Sekretariati i Energjisë, dy muaj kohë Shqipërisë të ‘mbrohet’ për HEC-in mbi Vjosë

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Sekretariati i Komunitetit të Energjisë bëri me dije se, ka hapur procedurën për zgjidhjen e mosmarrëveshjes kundër Shqipërisë, sa i takon vlerësimin jo në përputhje me direktivën të ndikimit në mjedis të “HEC Poçem”.

Në një njoftim, Sekretariati bëri me dije se do të presë reagimet e palëve por nga një hulumtim paraprak, ky institucion doli në përfundimin se, procedurat administrative të kryera për projektin nuk ishin në përputhje me direktivën e BE.

“Në 14 Shtator 2020, Sekretariati i dërgoi një Letër Shqipërisë për Rastin ECS-3/19, duke adresuar shqetësimet e tij në lidhje me vlerësimin e ndikimit në mjedis të projektit ‘HEC Poçem’ në lumin Vjosa.

Në veçanti, Sekretariati gjeti paraprakisht se procedurat administrative të kryera për projektin nuk ishin në përputhje me dispozitat e Direktivës 2011/92 / BE, duke marrë parasysh veçanërisht kërkesat e Direktivës për përmbajtjen e raportit mjedisor dhe dispozitat e tij të pjesëmarrjes publike”.

Duke dërguar Letrën, Sekretariati filloi një procedurë paraprake, qëllimi i së cilës është t’i japë Shqipërisë mundësinë për të reaguar ndaj pretendimit të mosrespektimit të ligjit të Komunitetit të Energjisë, brenda dy muajve dhe për t’i dhënë mundësi Sekretariatit të krijojë sfondin e plotë të rastit.

Sipas Neneve 7 dhe 17 të Rregullores së Procedurës për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve, palëve të interesuara mund t’u lejohet hyrja në dosjen e çështjes dhe mund të paraqesin vërejtje me shkrim për çështjen në fjalë te Sekretariati gjatë procedurës paraprake.

“Të gjitha kërkesat për informacion në lidhje me këtë rast, duhet t’i drejtohen Zëvendës Drejtorit dhe Këshilltarit Ligjor në “dirk.buschle@energy-community.org” ose +43 1 535 2222 24 dhe duhet t’i referohen numrit të çështjes ECS-3/19”,- thuhet në reagimin e sekretariatit.

Hidrocentrali i Poçemit është një nga disa digat që do të ngrihen në lumin Vjosë, sipas kontratave të dhëna paraprakisht nga qeveria.

Dy kompanitë turke “Ayen Enerji Şirketi Anonymous” dhe “Çinar-San Hafriyat Nakliyat Turizm Insaat San Ve Tik Ltd.Sti”, janë ato që kanë përfituar të drejtën e kocneisonit për të ngritur një digë me gjatësi 200 metra dhe me lartësi 50 metra, me një prodhim vjetor prej 366 GW/H.

Ndërkohë, burime nga Ministria e Energjetikës, i thanë “Gazeta Reforma”, se: “Sekretariati në Vienë, ka pasurm kohët e fundit shumë letërkëmbime me këtë ministri dhe me ministren Balluku, në lidhje me projekte të ndryshme. Por ka hasur në indiferencën e kësaj të fundit”.

Po sipas të njejtave burime, Sekretariati ka vërejtur edhe mosbashkëpunim edhe nga ana e ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, drejtuar nga Blendi Klosi, e cila edhe kjo, nuk ka paraqitur raporte të sakta mbi nikimin ose jo në mjedis të projekteve energjetike.

/GazetaReforma.com/

 

Shpërndaje
Share.

Komento