Skip to content
Kryesore

Ndeshja Shqipëri–Serbi / Akset që do të bllokohen, paralajmërohen tifozët: Deri në 5 vite burg për këto shkelje në stadium!

· 2 min lexim

Policia e Shtetit ka publikuar planin e detajuar të masave për sigurinë në ndeshjen “Shqipëri – Serbi”, që do të luhet më 7 qershor 2025, në orën 20:45, në “Arenën Kombëtare” në Tiranë.

Masat do të zbatohen para, gjatë dhe pas takimit, për të garantuar rendin publik dhe shmangien e incidenteve.

Masat kryesore të sigurisë përfshijnë:
• Eskorta të dedikuara për ekipet kombëtare të Shqipërisë dhe Serbisë, nga momenti i mbërritjes në aeroport, deri në akomodim dhe gjatë gjithë itinerarit për në stadium.

• Kontrolle të imtësishme sigurie brenda dhe jashtë stadiumit për të parandaluar hyrjen e personave të paautorizuar dhe futjen e sendeve të rrezikshme si fishekzjarrë, flakadanë, lëndë piroteknike apo objekte të forta.

• Shërbime të përforcuara policore në perimetrin e stadiumit dhe në gjithë Tiranën, për të ruajtur rendin dhe për të menaxhuar trafikun dhe emergjencat.

• Bashkëpunim ndërinstitucional me FSHF-në, UEFA-n, Gardën e Republikës, Policinë Bashkiake, zjarrfikësit, shërbimet shëndetësore dhe sigurimin privat, si dhe me ekipin e sigurisë së kombëtares serbe.

Kufizime qarkullimi në Tiranë:
• Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”
• Rruga “Papa Gjon Pali II”
• Rruga “Dervish Hima” e “Asim Zeneli” (pranë ambasadës amerikane)
• Rrugët “Themistokli Gërmenji”, “Gjergj Filipi”, “Lekë Dukagjini”
• Rruga “Faik Konica” dhe “Skerdilajd Llagami”

Parkimi i tifozëve do të organizohet si më poshtë:
• Tifozët nga Korça dhe Elbasani: tek lokali “Kalvin” dhe pranë qytetit “Studenti”
• Nga veriu dhe jugu: te Terminali i Kamzës, “Asllan Rusi”, parkingu nëntokësor te sheshi “Skënderbej” dhe “Bulevardi i Ri”

Kontrolle dhe ndalime:
Policia do të kontrollojë tifozët përpara hyrjes në stadium.

Do të ndalohet hyrja me: banderola me përmbajtje raciste, fishekzjarrë, lëndë piroteknike, çakmakë, monedha metalike, çadra, produkte kozmetike dhe sende të forta. Po ashtu, ndalohet përdorimi i dronëve, policia do të përdorë pajisje anti-dronë.

Penalizime për veprime të dhunshme:
• Futja në fushë: gjobë deri në 100 mijë lekë ose burg deri në 3 muaj
• Hedhja e sendeve të forta apo përdorimi i lëndëve piroteknike: burgim nga 6 muaj deri në 3 vjet
• Dhuna ndaj sportistëve, gjyqtarëve apo trajnerëve: burgim deri në 5 vjet në raste të përsëritura

Tifozët të paraqiten në hyrje që nga ora 18:00 për të shmangur vonesat.