Rritja e çmimit të naftës në 224 lekë për litër ka nxitur një reagim të fortë nga Konfindustria, e cila i bën thirrje të drejtpërdrejtë qeverisë shqiptare për ndërhyrje të menjëhershme në tregun e karburanteve, duke kërkuar rishikim të plotë të politikës fiskale dhe rregullatore.
Sipas Konfindustrisë, situata nuk është më e zakonshme, pasi Shqipëria mbetet i vetmi vend në rajon që nuk ka ndërmarrë asnjë masë konkrete për të përballuar krizën e karburanteve. Kjo, sipas saj, po rrit ndjeshëm kostot për bizneset dhe prodhimin vendas, duke i ekspozuar ato ndaj rrezikut të falimentimit dhe duke rënduar drejtpërdrejt mbi qytetarët.
Organizata thekson se çdo rritje e çmimit të karburanteve përkthehet menjëherë në rritje të kostove në të gjithë ekonominë, duke goditur zinxhirin e furnizimit, transportin dhe çmimet e produkteve bazë.
Në njoftimin zyrtar thuhet: “Konfindustria, duke vlerësuar pasojat e rënda ekonomike në përkeqësim dramatik të luftës në Gjirin Persik, i kërkon ekzekutivit të veprojë pa vonesë në rishikim të plotë të politikës fiskale dhe rregullatore të tashme në tregun e karburanteve. Vlerësimet e modelit ekonomik shqiptar tregojnë, që rritja me 30% e çmimit të derisotëm të karburanteve krijon inflacion me të paktën 6% dhe një rënie të PPB me 2,8-3%. Sa më sipër krijon qartësisht rrezikun për kalimin në recesion ekonomik gjatë periudhës 2026 në vazhdim.”
Konfindustria e konsideron të pamjaftueshme ndërhyrjen e parashikuar nga qeveria me ulje 20% të akcizës vetëm kur çmimi arrin në 220 lekë për litër, duke e cilësuar atë si një masë pa efekt real në kushtet aktuale.
“Shqipëria është shteti i vetëm në rajon, që nuk ka ndërmarrë asnjë masë të prekshme lehtësuese për krizën e karburanteve. Ndërhyrja me ulje 20% të vlerës së akcizës vetëm, kur çmimi i naftës do të arrijë në 220 lekë/litër është i pamjaftueshëm dhe i pakuptimtë”, thuhet në reagim.
Përballë kësaj situate, Konfindustria kërkon uljen e barrës fiskale mbi karburantet dhe taksat e automjeteve, duke i sjellë ato në nivelin mesatar të rajonit, si një hap i domosdoshëm për të ndalur përkeqësimin e mëtejshëm.
Gjithashtu, ajo propozon masa strukturore, si shndërrimi i Bordit të Transparencës në një Ent Rregullator të përhershëm për të frenuar spekulimet në treg dhe krijimin e një operatori shtetëror në tregun e karburanteve.
Konfindustria nënvizon se tregu i karburanteve, me një qarkullim vjetor prej rreth 2 miliardë dollarësh dhe peshë që arrin afër 10% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, ka ndikim të drejtpërdrejtë në të gjithë ekonominë, duke e bërë ndërhyrjen e menjëhershme një domosdoshmëri për të shmangur pasoja më të rënda në muajt në vijim.








