Mori aprovimin e Komisionit të Jashtëm, Yuri Kim pret konfirmimin nga Senati për postin e ambasadores në Shqipëri

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Komisioni i Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, miratoi të mërkurën emërimin e Yuri Kim, si ambasadore të SHBA-ve për Shqipërinë.

Për t’u bërë zyrtar, emërimi i saj duhet të miratohet nga Senati, shkruan “VOA”.

Yuri Kim ishte emëruar nga presidenti Donald Trump në qershor të këtij viti.

Në seancën përpara Komisionit të Jashtëm të Senatit, Kim tha se do të nxiste udhëheqësit e vendit për të zgjidhur ngërçin aktual dhe për të forcuar perspektivën e hapjes së negociatave të anëtarësimit me BE.

Njëkohësisht ajo shtoi, se do të inkurajojë Shqipërinë në zbatimin e reformës në drejtësi dhe luftën kundër krimit të organizuar

Ndër premtimet e saj ishte edhe nxitja e eksporteve dhe investimeve amerikane në Shqipëri, si dhe rritja në nivelin 2% e shpenzimeve për mbrojtjen, deri në vitin 2024.

Yuri Kim ka një karrierë të pasur diplomatike.

Ajo ka shërbyer në DASH, si Drejtoreshë e Zyrës për Çështjet e Evropës Jugore.

Disa nga postet që ka mbajtur ajo janë:

Drejtoreshë e Qendrës së Departamentit të Shtetit për Studimin e Diplomacisë

Shefe e Stafit për Zëvendëssekretarin e Shtetit dhe Drejtore e Zyrës për Sigurinë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake.

Asistente Speciale e Ndihmës Sekretarit të Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit dhe anëtare e delegacionit të Shteteve të Bashkuara në bisedimet gjashtëpalëshe për t’i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut.

Këshilltare Politike në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Bagdad dhe në Ankara.

Shpërndaje
Share.

Komento