Skip to content
Kryesore

Monologu i Grida Dumës: “A do të fitojë Shqipëria 4 mld euro nga projekti në Zvërnec?”, Gjergj Erebara: “Nuk mora vesh asnjë llaf, po përgjigjja është definitivisht jo!”

· 3 min lexim

Analisti dhe gazetari ekonomik Gjergj Erebara ka reaguar pas monologut të gazetares Grida Duma në emisionin “Top Story”, ku ajo ngriti pyetjen nëse Shqipëria do të përfitojë 4 miliardë euro nga projekti turistik i parashikuar në Zvërnec.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Erebara u shpreh kritik ndaj analizës së Dumës, duke deklaruar se nuk arriti të kuptonte mesazhin e saj, ndërsa dha një përgjigje të prerë për pyetjen e ngritur.

“Lexova këtë monologun e znj. Duma dhe nuk mora vesh asnjë llaf. Por sa i përket pyetjes së saj, a do i fitojë Shqipëria 4 miliardë, përgjigjja është definitivisht jo! Nëse investohen 4 miliardë, (gjë që nuk e dimë sepse sipas Ramës nuk ka projekt dhe për sa kohë nuk ka projekt, nuk dihet se sa do të investohet, po ta zëmë se janë kaq), të 4 miliardët rrumbullak i takojnë pronarit të investimit.

Investimet e huaja llogariten në bilancin e vendit si borxh. Banka e Shqipërisë raporton flukset dhe stokun, pra hyrjet dhe tërheqjet nga portofoli i investimeve të huaja dhe diferencën. Natyrisht që një investim i huaj, si çdo investim tjetër, ka kosto dhe fitime. P.sh., punësimet dhe nënkontraktimet kanë efekt pozitiv në ekonomi.

Nga ana tjetër, nevoja për të pajisur zonën e ndërtimit me infrastrukturë bazë, rrugë, ujësjellës, kanalizime, impiant për përpunimin e ujërave të ndotura, këto janë kosto të cilat, Rama, përmes statusit të investitorit strategjik, ia ngarkon taksapaguesve.

Nevojiten llogari prej specialistësh për të sheshuar kostot dhe përfitimet dhe për të dalë në konkluzionin final se sa fitojmë ose sa humbasim nga projekti. Natyrisht që natyra nuk ka çmim. Humbja e një parku kombëtar është e parikuperueshme për shekuj. Të mirat që ka Vlora dhe e gjithë Shqipëria nga mbajtja hapur e plazheve në fjalë janë humbje apo kosto tjetër.

Por jo, sido që ta rrotullosh, të katër miliardët nuk i përkasin Shqipërisë, ato i përkasin investitorit.”

Reagimi i Erebarës vjen në një moment kur projekti i planifikuar në Zvërnec vijon të jetë në qendër të debatit publik, mes diskutimeve për ndikimin ekonomik, mjedisor dhe mënyrën se si do të realizohet investimi. Ai thekson se përfitimet reale për Shqipërinë nuk mund të barazohen me vlerën totale të investimit, pasi kapitali i investuar i përket investitorit, ndërsa bilanci mes kostove dhe përfitimeve duhet të vlerësohet nga specialistët.