Skip to content
Kryesore

Mjegull e pazakontë mbulon bregdetin e Vlorës, fenomen i rrallë në kulmin e verës

· 1 min lexim

Një mjegull e dendur mbuloi sot në mesditë bregdetin e Vlorës, duke krijuar një skenë të pazakontë për pushuesit dhe plazhistët në zonë.

Ky fenomen, i rrallë për stinën e verës, u shtri përgjatë një pjese të gjerë të vijës bregdetare, nga Lungomare deri në Zvërnec.

Sipas ekspertëve të motit, mjegulla është rezultat i kontrastit mes temperaturave të larta, që në Vlorë kanë arritur deri në 40°C, dhe niveleve të larta të lagështisë në ajër.

Ndryshimet e menjëhershme në kushtet atmosferike kanë favorizuar formimin e kësaj mjegulle të dendur mbi det dhe brigje.

Pamja e pazakontë ka tërhequr vëmendjen e qytetarëve, të cilët kanë publikuar foto dhe video të momentit në rrjetet sociale, duke shprehur habinë e tyre për këtë dukuri jo të zakonshme në kulmin e sezonit turistik.

Meteorologët kanë sqaruar se mjegulla është një fenomen kalimtar dhe pritet të shpërndahet brenda pak orësh, pa ndikuar në temperaturat e larta që do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.