Misteri i vetëvrasjes së biznesmenit të resortit, arma e njëjtë me të cilën Merviol Bilo vrau Fabiol Gaxhën në ish-Bllok (DETAJE)

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Sipas të dhënave të fundit të dalë nga grupi hetimor dhe balistika, detaje të reja kanë thelluar misterin e  vetëvrasjes e biznesmenit 37-vjeçar Eugert Lazaj në vilën e tij luksoze te ‘Rolling Hills’ në 30 korrik të 2020-ës.

Të dhënat e dala nga grupi hetimor, kanë konstatuar se arma me të cilën cilën dyshohet se është vetëvrarë 37-vjeçari, është e njëjta armë të cilën e ka përdorur Merviol Bilo në 4 tetor 2018 ku ekzekutoi Fabiol Gaxhën, në ngjarjen pranë lokalit “Monopol” në ish-Bllok.

Ende nuk janë zbuluar detajet se si kjo armë ka përfunduar në duart e biznesmenit Lazaj, ndërkohë që pronari i lokalit “Monopol” ku ndodhi vrasja në ish-Bllok, Redi Popesku, e kishte deklaruar të humbur.

Kujtojmë se ekzekutuesi i Fabiol Gaxhës në ngjarjen e ish-bllokut, ish-komando Merviol Bilo, ishte  truproja personal i Ervin Matës dhe ndodhet ende në arrati.

Këto detaje të reja të zbardhura nga hetimi, kanë thelluar edhe më shumë misterin e vetëvrasjes së biznesmenit 37-vjeçar Eugert Lazaj në vilën e tij luksoze.

Ndërkohë pas vetëvrasjes së Lazajt, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit-Tiranë, ka bërë publike për mediat disa dokumente sipas së cilave pronari i resort “Adorions Palace” në Maminas, kishte “llogari” ligjore-administrative e gjyqësore me policinë shqiptare.

Sipas informacionit zyrtar, biznesmeni ishte i lindur e rritur në Shqipëri, por Lazaj e ka lënë shtetësinë shqiptare që prej 26.11.2004,në moshën 21-vjeçare, për të jetuar jashtë saj me shtetësi tjetër.

Sipas dosjes, pas shumë vitesh ai ishte rikthyer për të bërë biznes pas hapjes së një resorti turistik e për të jetuar përgjithnjë në Shqipëri, por Policia e Shtetit, nuk e ka pajisur me leje të përhershme, por vetëm më leje të përkohëshme “Tipi D/AE- Veprimtari ekonomike”.

“GazetaReforma.com” ka mësuar se kohët e fundit, gjyqtarja e Gjykatës Administrative, Blerona Hasa, kishte në shqyrtim edhe çështjen e dhënies së shtetësisë shqiptare ose jo, Eugent Lazajt, pronarit  të resortit “Adorions Palace” në Maminas të Durrësit, i cili u gjend i vetëvrarë në vilën e tij në Sauk të Tiranës.

Si pasojë edhe e odisesë së shtyrjes së procesit në Apelin Administrativ nga gjyqtarja Blerona Hasa, i ndjeri biznesmeni 37-vjeçar, nuk arriti që ta merrte nënshtetësinë shqiptare.

Si e zvarriti Hasa çështjen e Lazajt

Pronari i “Adorions Palace”, kompleksit luksoz në Maminas, rezulton se në vitin 2004, kishte lënë shtetësinë shqiptare pasi ishte pajisur me nënshtetësi gjermane, ku jetonte dhe punonte prej shumë vitesh së bashku me familjen e tij.

Por teksa kaloi disa vite në Gjermani, 37-vjeçari Lazaj, mendoi të kthehej në atdhe për të investuar kursimet e tij, por ndërsa e kishte lëshuar më parë nënshtetësinë, këtë herë ai do të kërkonte nga autoritetet shqiptare të pajisej me leje qëndrimi në vendin e lindjes.

Kërkesa e tij do të miratohej nga ana e instancave përkatëse, që do të pajisnin me leje qëndrimi të përkohshme Lazajn, leje kjo që do të përfundonte më 17 janar 2019.

Nga ky moment, 37-vjeçari do duhej të largohej nga Shqipëria, pasi ndaj tij do lëshohej një urdhër dëbimi, për shkak të skadencës së afatit ligjor të lejes së qëndrimit.

I vënë në këto kushte pronari i kompleksit luksoz “Adorions Palace”, do ta ankimonte këtë vendim në Gjykatën Administrative të Apelit Tiranë, ku do të kërkonte pajisjen me leje të përhershme dhe heqje të urdhrit të largimit nga vendi i datës 17 janar 2019.

Por këtu me sa duket hasi në një “kockë të fortë” që ishte gjyqtarja Blerona Hasa, e cila jo vetëm mbahej në Gjykatën e Apelit Administrativ për zvarritjet e saj të famshme në çështje shumë të thjeshta, por tani kishte nëpër duar edhe një biznesmen të fuqishëm.

Po pse iu refuzua leja e përhershme biznesmenit?

“GazetaReforma.com” ka mësuar se, shkak për refuzimin e lejes së qëndrimit të përhershme për Eugert Lazajn, janë bërë informacionet që kishin marrë autoritetet shqiptare se, 37-vjeçari dyshohej se kryente aktivitet pastrimi parash.

Burime nga Gjykata e Apelit Administrativ, thanë për “GazetaReforma.com” se, “me sa duket, kjo ka qenë arsyeja e cila ka ‘intriguar’ erdhe gjyqtaren Hasa që të shtyjë procesin e shqyrtimit të kërkesës për nënshtetësi të Lazajt…”.

Eugert Lazaj u gjet i vetëvrarë mëngjesin e së enjtes 30 korrik në vilën e tij në një kompleks luksoz në periferi të kryeqytetit.

Në afërsi të trupit të pajetë u gjet edhe arma e zjarrit me të cilën 37-vjeçari i kishte dhënë fund jetës, ku shkak kryesor dyshohet të jetë bërë gjendja rënduar psikologjike e biznesmenit./ GazetaReforma.com.

Shpërndaje
Share.

Komento