Skip to content
Bota

Ministrat e Shëndetësisë së G20 vendosin objektivin për vaksinimin: Kemi sfidë të përbashkët

· 2 min lexim

Ministrat e Shëndetësisë së vendeve të G20 kanë vendosur si objektiv vaksinimi e të paktën 40% të botës kundër Covid-19, deri në fund të vitit.

Objektivi u shpall në Takimin e Ministrave të Shëndetësisë të G20, të mbajtur nga e diela deri të hënën në Romë.

Nga takimi është miratuar gjithashtu një deklaratë e përbashkët e ministrave dhe u miratua “Pakti i Romës”, duke theksuar rëndësinë e një bashkëpunimi të fortë shumëpalësh në menaxhimin e pandemisë COVID-19 dhe mbështetjen e rimëkëmbjes globale, me Organizatën Botërore të Shëndetësisë (OBSH) duke marrë një rol qendror dhe drejtues. Ministrat e shëndetësisë ranë dakord gjithashtu se vaksinimi ishte çelësi.

Deklarata njohu ndikimin e gjerë të COVID-19, përfshirë në shëndetin mendor dhe në përparimin në arritjen e Qëllimeve të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së, të cilat adresojnë sfidat globale duke përfshirë varfërinë, pabarazinë, ndryshimin e klimës, degradimin e mjedisit, paqen dhe drejtësinë.

Deklarata nënvizoi gjithashtu nevojën për të vazhduar përpjekjet e përbashkëta për të parandaluar, zbuluar dhe reaguar më mirë ndaj rreziqeve dhe emergjencave të ardhshme globale të shëndetit.

Kujtojmë se Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë vazhdimisht thirrje për shpërndarje të barabartë të vaksinave, ndërkohë që vendet e pasura kanë arritur të vaksinojnë një pjesë të madhe të popullsisë, ndërsa vendet e varfra as grupet e riskut. OBSH ka dalë gjithashtu kundër dozës së tretë të vaksinës, që po sheh dritën e gjelbër në disa vende.