Skip to content
Rajoni

Mini-Shengeni Ballkanik/ Gazeta austriake:  Një projekt serb, Shqipëria rrezikon prej tij…

· 2 min lexim

Në një kohë kur lëvizja e lirë është bërë tepër e cunguar për shqiptarët në rajon dhe BE, kjo për shkak të masave të pandemisë së koronavirusit, vendeve europiane u duken jo të favorshme përpjekjet e qeverive ballkanike për një “Shengen rajonal”.

Sipas gazetës austriake, “Der Standard” në një analizë të saj, shkruhej se në rajonin e Ballkanit Perëndimor ka pak entuziazëm për projektin e Mini-Shengenit.

“Shumë ekspertë të Europës Juglindore e konsiderojnë idenë e Mini-Shengenit një marketing të mirë për qeverinë serbe, e cila ka arritur t’ia shesë këtë propozim të dërguarit të SHBA, Richard Grenell, i cili nga ana e tij e përdori për ta reklamuar te Donald Trump.

Në mungesë të ideve dhe sukseseve të tjera, BE po e merr gjithashtu projektin e Mini-Shengenit për gjashtë vendet jo-anëtare të Evropës Juglindore.

Përveç faktit se askush nuk e di se çfarë do të thotë kjo saktësisht, presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, kryeministri maqedonas Zoran Zaev dhe homologu shqiptar, Edi Rama bënë një deklaratë qëllimesh para një viti.

Në atë kohë u tha se në të ardhmen, qytetarët e këtyre shteteve duhet të kalonin kufijtë vetëm me kartë identiteti- diçka që përveç qytetarëve të Shqipërisë- është e mundur që tani”,- shkruan analistja Adelheid Woelfl.

Sipas analizës, projekti shihet si një alternativë ndaj anëtarësimit në BE. Madje ekspertët mendojnë se ai, e ngadalëson anëtarësimin në BE.

“Ekonomistët theksojnë se, BE do e pëlqente idenë e Mini-Shengenit pasi ngadalëson procesin e zgjerimit dhe sepse BE, po promovon bashkëpunimin rajonal për arsye të politikave të sigurisë. Premtimi për Mini-Shengenin është gjithashtu një reklamë e mirë në Europë për Ramën dhe Vuçiç”,- thuhet në shkrim.

/GazetaReforma.com/