Meta publikon pamjet e eksodit masiv të shqiptarëve: Koha që qytetarët të marrin në zotërim vendin e tyre

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Presidenti Ilir Meta ka publikuar në “Facebook” pamjet e vitit 1991, kur shqiptarët me anije iknin për në Itali e gjetkë, në kërkim të një fati më të mirë.

Meta shprehet se shpopullimi i Shqipërisë po vazhdon, ndërsa  shton se sot është koha që shqiptarët të marrin në zotërim vendin dhe fatin e tyre.

Postimi i presidentit Ilir Meta:

Në 8 gusht 1991 anija “Vlora”, me rreth 20 mijë shqiptarë në bord, nisi udhëtimin drejt lirisë duke u kthyer në simbolin e shpresës për një jetë të re dhe një të ardhme më të mirë.

Zbarkimi i tyre në brigjet e Italisë, dëshmoi para gjithë botës tragjedinë dhe dhimbjen e një populli të vuajtur për dekada nga dhuna, shtypja, mjerimi dhe izolimi.

Fatkeqësisht edhe sot pas 29 vitesh nga kjo ngjarje dhe këto pamje tronditëse që të emocionojnë në çdo kohë, ritmet dramatike të shpopullimit të Shqipërisë nuk janë ndalur.

Në emër të këtyre sakrificave të jashtëzakonshme njerëzore, është koha të ankorojmë shpresën në vendin tonë dhe të përmbushim ëndrrën e çdo qytetari, për një Shqipëri si gjithë Europa!

Koha që shqiptarët të rikthehen dhe të marrin në zotërim vendin dhe fatet e tyre!

Koha për ta ndërtuar Europën ketu!

Koha për t’i thënë KURRË MË çdo projekti izolues dhe shpopullues! 🇦🇱

Shpërndaje
Share.

Komento