Pasditen e sotme media të ndryshme kanë publikuar pjesëza të ndryshme nga draft-opinioni i Komisionit të Venecias, ku thuhej se mënyra e interpretimit të Kushtetutës nga presidenti dhe zyra e tij është në përputhje të plotë me Kushtetutën, duke vlerësuar se presidenti Meta ka vepruar sipas gërmës dhe logjikës kushtetuese.
Ende pa mbërritur: Zbardhet opinioni i Komisionit të Venecias, çfarë thuhet për Metën
Së fundmi, lidhur me këto lajme ka reaguar kreu i Grupit Parlamentar të PS, Taualant Balla, i cili me anë të një statusi shkruan se dhe atij i ka mbërritur një draft, por nuk mund ta bëjë publik pasi Venecia ka kërkuar që të ruhet konfidencialiteti.
Më tej shkruan se publikimet që janë bërë në media se ‘shpërndarja e copëzave apo fjalive të veçanta në raste të mëparshme të drafteve paraprake ka dëmtuar kredibilitetin e procesit te konsultimit me Komisionin e Venecias’.
Ndër të tjera Taulant Balla ka shkruar se dekreti i rikthyer nga Presidenca për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nuk do shqyrtohet në Kuvend deri në marrjen e opinionit të ‘Venecias’.
Reagimi i plotë
“Komisioni i Venezias na ka vene ne dizpozicion nje “draft paraprak” te Opinionit “Mbi emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese”, per te cilin na eshte kerkuar nga ana e tyre te ruajme strikt konfidencialitetin dhe te mos bejme asnje koment, sepse drafti eshte derguar per tu konsultuar dhe komentuar nga palet. Shperndarja e copezave apo fjalive te vecanta ne raste te meparshme te drafteve paraprake ka demtuar kredibilitetin e procesit te konsultimit me Komisionin e Venecias. Prandaj ne do te ndjekim ne menyre strikte agjenden dhe respektojme kerkesen per konfidencialitet prej vete Komisionit te Venecias deri ne miratimin e nje opinioni final zyrtar.
Nderkohe ekspertet tane do te pergatisin sipas kerkeses se vete procesit, per reflektimet e pretendimeve te paleve ne Opinionin Perfundimtar. Kjo do te thote po ashtu, se deri ne marrjen e Opinionit perfundimtar zyrtar, dekreti i rikthyer nga presidenca nuk do te diskutohet dhe as shqyrtohet ne Kuvend, per te respektuar deri ne fund Komisionin e Venecias”, shkruan Balla në Facebook.
Më 30 dhjetor Kuvendi i Shqipërisë iu drejtua për ‘ndihmë’ Komisionit të Venecias dhe letra e Kuvendit, firmosur nga kryeparlamentari Gramoz Ruçi, shtronte disa çështje kryesore, si : Gjykata Kushtetuese dhe procedurat e emërimit të anëtarëve të saj, roli i Presidentit, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe përzgjedhja e kandidaturave për plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese.
Në letër thuhet se më 5 dhjetor “Kuvendi ka zgjeruar objektin e hetimit” të komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës dhe “afatin e veprimtarisë së tij, nisur nga një kërkesë e re e një grupi deputetësh për të shtuar në procesin hetimor dhe disa akte dhe veprime të tjera të Presidentit në lidhje me emërimin e gjyqtarëve kushtetues ndodhur në nëntor të këtij viti, për të cilat kërkuesit çmojnë se Presidenti ka kryer shkelje të detyrimeve kushtetuese dhe përbëjnë shkak për shkarkimin e tij”.
Me 2 shkurt delegacioni i Komisionit të Venecias mbërriti në Tiranë, për të shqyrtuar situatën dhe zhvilluan takime me zyrtarë të lartë nga të dyja palët dhe tashmë pas një muaji, në fundjavë pritet të mbërrijë opinioni paraprak i Komisionit të Venecias për emërimet në Gjykatën Kushtetuese.