Mësimi online për studentët e mjekësisë një dështim: “Po penalizohemi nga ana profesionale”

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Mësimi online ka qenë një dështim për thuajse të gjithë universitetet e vendit, por vështirësitë më të mëdha i kanë hasur studentët të cilët veç lëndëve teorike, u duhet të kryejnë edhe praktika mësimore.

Universiteti i Mjekësisë është prej kohësh duke vazhduar mësimin online dhe mes vështirësive të shumta shtohet edhe mungesa e praktikës.

Somela Ujkaj, stdente e mjekësisë dhe aktiviste e Lëvizjes për Universitetin tregon se mungea e internetit ka ndikuar shumë në mbarëvajtjen e procesit mësimor.

“Si studente e Universitetit të Mjekësisë vështirësitë e mësimit online kanë qenë shumë të theksuara. Realizimi i mësimit online nuk ka qenë shumë efikas për të njëjtat arsye që ka prekur çdo universitet. Interneti ka qenë dhe vazhdon të jetë një ndër pikat kyçe që ka shkaktuar vështiresi për ndjekien e mësimit online, duke e bërë shumë diskriminues për të gjithë ata studentë ku ekonomia e dobet u ka mohuar mundësinë e  përfitimit të dijeve.”

Pamundësia për të realizuar praktika i ka kufizuar studentët edhe nga njohuritë profesionale. Somela tregon se ata ndihen të penalizuar dhe hasin vështirësi në shpjegimin e leksioneve.

“Vlen të përmendet se volumi i lëndëve përkatëse për çdo degë e ka vështirësuar përvetësimin e informacioneve nga marrja apo shpjegimi i kufizuar i leksioneve. Të gjitha lëndët janë të programuara në mënyrë të atillë ku gjysma e orëve të jenë praktike dhe gjysma e orëve të jenë mësim teorik, pamundësia për të realizuar këto praktika na ka penalizuar shumë nga ana profesionale”- thotë Somela.

Një vendim ende jozyrtar në Universitetin e Mjekësisë është zhvillimi të të dy sezoneve të provimeve në korrik me justifikimin për të kryer praktikat, por Somela thotë se asgjë nuk është e sigurt nëse studentët do kenë mundësi t’i kryejnë praktikat në fjalë.

“Vendimi për realizimin e dy sezoneve në korrik nuk është pritur pozitivisht nga asnjë student. Kjo për arsye se lëndët janë shumë voluminoze dhe degët e universitetit të mjekësisë priren të kenë shumë provime semestrale. Si përfundim unë mendoj se në korrik studentët do kenë mbingarkesë dhe nuk do respektohen ditët e sezonit siç do ishin realizuar po të ishin ndarë me dy semestra. Një tjetër problem qëndron tek fakti se provimet janë shtyrë me justifikimin e realizimit te praktikave deri në fund të vitit akademik, por duhet përmendur se nuk është akoma asgjë e sigurt për realizimin e këtyre praktikave dhe për rrjedhoje krejt organizimi i provimeve duhet ndryshuar. Kjo ka për t’i gjetur studentët të papërgatitur për provime.”

 

Ende nuk ka një vendim zytar për mënyrën si do të mbahen provimet nga ana e rektorateve përkatëse, teksa studentët janë ende në pritje në prag të sezonit.

Shpërndaje
Share.

Komento