Skip to content
Kryesore

Merret peng i riu në Tiranë, e mbyllin dy orë në makinë dhe e dhunojnë

· 2 min lexim

Një 44-vjeçar ka përfunduar në pranga pasi akuzohet se ka rrëmbyer një 31-vjeçar, të cilin e ka mbajtur me forcë brenda automjetit për afro dy orë, duke e goditur vazhdimisht me grushte.

Ngjarja u zbardh pas ndërhyrjes së policisë, e cila u njoftua se shtetasi me iniciale L.M. ishte marrë me forcë në një makinë.

Sipas hetimeve paraprake, autori i dyshuar, Dashamir Pira , e ka rrëmbyer 31-vjeçarin për motive të dobëta dhe i ka kufizuar lirinë duke e mbajtur të mbyllur në automjet, ku ka ushtruar edhe dhunë fizike ndaj tij.

Njoftimi i policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë. Mori me forcë në automjet, një 31-vjeçar, i hoqi lirinë dhe e dhunoi, si rezultat i veprimeve të shpejta të Policisë, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 44-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, pasi morën njoftim se një 31-vjeçar ishte marrë me forcë, në automjet, nga një shtetas, organizuan menjëherë punën për identifikimin e autorit dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.

Si rezultat i veprimeve të shpejta të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 6, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi D. P., 44 vjeç, banues në Tiranë.

Nga hetimet dyshohet se 44-vjeçari, për motive të dobëta, ka marrë me forcë, në automjetin e tij, shtetasin L. M., 31 vjeç, i ka hequr lirinë, duke e mbajtur në automjet, për gati 2 orë, dhe e ka goditur me grushte.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.