Pas 5 orësh të shtëna me armë zjarri, merr fund rezistenca e 71-vjeçarit Zhidru në Elbasan

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Pas 5 orësh negociata, është ekzekutuar nga forcat RENEA 71-vjeçari Lefter Zhidru pas terrorit që shkaktoi në Elbasan, duke qëlluar mbi policinë që shkoi ta arrestonte, e duke lënë më pas të plagosur dy persona.

Forcat RENEA përdorën dhe gazin lotsjellës për tu futur brenda banesës. Në vendngjarje u dëgjuan të shtëna e shpërthim. Ndërhyrja ndodhi rreth orës 17:50 dhe raportohet se i moshuari është qëlluar.

Ekzekutimi erdhi pas dështimit të të paktën katër negociatave me të moshuarin, ndërkohë në këto momente pritet që autoambulanca të marrë trupin e pajetë të 71-vjeçarit.

Mësohet se Lefter Zhidru ka qënë duke ndjekur raportimet në media dhe është irrituar me disa prej informacioneve të publikuara. Që të qetësohet psikologjikisht është ndërprerë edhe energjia elektrike.

Operacionin e RENEA-s e kanë ndjekur nga afër zytarët e lartë të Policisë së Shtetit. Në vendin e ngjarjes ndodhen kreu i policisë Ardi Veliu si dhe drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale Tonin Vocaj.

Kujtojmë se e gjithë ngjarja ka nisur në lagjen “11 Nëntori”, rreth orës 13:20 në Elbasan, ku shtetasja F. Zh., ka patur një konflikt me bashkëshortin e saj, shtetasin Lefter Zhidru, 71 vjeç, i cili në momentin që ka shkuar Policia është futur në banesë dhe ka qëlluar me armë zjarri kallash në drejtim të forcave të Policisë.

Teksa kundërshtonte shoqërimin nga policia, ai qëlloi me armë dhe la të plagosur dy kalimtarët Abdenauer Kndraxhiu dhe Ledjo Saraci.

Njoftimi i Policisë 

Elbasan

Në vijim të informacionit të dhënë për sulmin me armë mbi forcën e posaçme “Shqiponjat” të DVP Elbasan, nga shtetasi Lefter Zhidru, 71 vjeç, ju informojmë se:

Pas 5 orë negociatash, fillimisht nga Policia Vendore e Elbasanit dhe më pas nga grupi negociator i Renas dhe i grupeve taktike të Reneas me shtetasin Lefter Zhidru, për t’u dorëzuar, ky shtetas nuk i është bindur në asnjë çast thirrjeve të Policisë për t’u dorëzuar, por ka reaguar me armë ndaj grupit negociator dhe grupeve taktike të Reneas që po negocionin me të.

Ndodhur në kushtet e mosbindjes për t’u dorëzuar, forcat speciale Renea kanë ngushtuar rrethimin e banesës ku ndodhej 71-vjeçari.

Shtetasi Lefter Zhidru, kur ka parë që forcat Renea po i afroheshin derës së banesës, ka hapur përsëri zjarr në drejtim të Policisë.

Në kushte të larta sigurie për jetën e punonjësve të Policisë, Renea i ka bërë përsëri thirrje për të hapur derën dhe t’i dorëzohej Policisë, por përsëri 71-vjeçari ka reaguar me armë dhe në këto kushte Renea ka shpërthyer derën për të hyrë në banesë.

Në momentin që forcat speciale Renea po ndërhynin në banesë 71-vjeçari ka sulmuar përsëri me breshëri plumbash Forcat Renea duke rrezikuar seriozisht jetën e tyre, por falë mburojës metalike kolektive nuk është lënduar ansjë punonjës i Reneas.

Në kushtet e vetëmbrojtjes forcat speciale Renea i janë kundërpërgjigjur më zjarr dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit, 71-vjeçari ka mbetur i vrarë.

Grupi Hetimor, nën drejtimin e prokurorit, ndodhet në vendngjarje dhe në banesën e 71-vjeçarit ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri kallashnikov, një sasi të konsiderueshme municioni luftarak dhe disa kallëpe me lëndë plasëse të montuara me kapsolla detonatore gati për shpërthim.

Shpërndaje
Share.

Komento