Mediat shqiptare në prag kolapsi! Unioni i Gazetarëve: Do bëjmë kërkesë në kuvend

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Prej thuajse tre javësh, Shqipëria mbarë është paralizuar si pasojë e emergjencës COVID-19, pas urdhërave të izolimit nga ana e qeverisë për të shmangur përhapjen e mëtejshme të virusit të rrezikshëm që ka mbërthyer gjithë botën.

Por në këtë situatë, përveç mjekëve që po bërballen drejtpërdrjet me sëmundjen agresive si dhe policëve, punonjësve të industrisë ushqimore e farmacistëve, në vijën e zjarrit kanë qenë çdo ditë edhe gazetarët.

Mediat janë ndër të vetmet aktivitete që vijojnë punën e tyre rregullisht e madje dhe më intensivisht se më parë për t’i siguruar publikut jo vetëm informacionin thelbësor mbi zhvillimet e fundit, por edhe argëtim në këto ditë të vështira.

Por ndonëse ecuria e punës së mediave merret si e mirëqenë, në brendësi të zyrave e redaksive asgjë nuk është si më parë.

Për shkak të bllokimit të çdo aktiviteti tjetër përveç shërbimeve të domosdoshme, të ardhurat e siguruara nga reklamat, që shpesh për mediat janë i vetmi burim, sa vijnë e tkurren.

Një gjë e tillë dita ditës po rrit pasigurinë mes gazetarëve e punonjësve të tjerë të medias të cilët po përballen me reduktime pagash e shkrutime të vendeve të punës si rrjedhojë e pikërisht kësaj situate.

Por ndonëse shërbimi i ofruar nga media në këto ditë tejet të vështira është një domosdoshmëri e pamohueshme, qeveria shqiptare nuk e ka përfshirë në asnjë prej pikave të masave lehtësuese ekonomike të shpallura pak ditë më parë.

Për këtë arsye, kryetari i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Çipa ka deklaruar për “Top Channel” se do t’i bëjë kërkesë Komisionit të Medias në kuvend që të përfshijë edhe median në paketën e ndihmës financiare.

“Gjendja paraqitet e vështirë për 6120 punonjësit e medias dhe rreth 15 mijë familjarët e tyre. Ne i kemi kërkuar qeverisë të na përfshijë në skemën e ndihmës, por ka rënë në vesh të shurdhër. Planin tonë për daljen nga kriza do ta paraqesim në Komisionin e Medias. Ne nuk kërkojmë lëmoshë, por suport financiar, siç parashikohet për nëpunësinë në Shqipëri dhe siç veprohet në Itali, Gjermani e Francë me median.”-është shprehur Çipa.

Deklarata e tij vjen një ditë pasi anëtarja e Autoritetit të Medias Audiovizive, Suela Musta, i propozoi qeverisë një paketë lehtësuese për televizionet, median e shkruar dhe ato online në situatën e krizës nga koronavirusi, ku kryefjala ishte subvencionimi për pagat e stafeve mediatike, të cilat po hasin vështirësi të jashtëzakonshme në këto momente, gjë që shumë shpejt mund t’i çojë drejt një kolapsi të përgjithshëm.

“Gazetareforma”, “iconstyle.al” dhe të tjera media në vend prej ditësh ka ngritur këtë problematikë që ndonëse bëhet çdo ditë e më kritike, duket se vijon të injorohet nga qeveria shqiptare, e cila ia ka parë vlerën medias këto ditë më shumë se kurrë ndonjëherë.

Shpërndaje
Share.

Komento