Duket se Kosova po shikon një dritë jeshile në çështjen për liberalizimin e vizave, pasi kjo çështje do të jetë në rend të ditës në takimin e grupit të punuës së KE, më 13 tetor.
Sipas burmeve në Bruksel presidenca çeke e BE-së tashmë u ka dërguar letër vendeve anëtare si paralajmërim për diskutimet për këtë temë. Radio Evropa e Lirë ka siguruar qasjen në këtë dokument dhe aty shprehet qartë dëshira e Çekisë që të gjitha vendet anëtare të BE-së të arrijnë konsensus të brendshëm për të mbështetur liberalizimin e vizave për Kosovën.
Në këtë letër, Çekia thirret edhe në, siç thuhet, arsyet e politikës së jashtme për liberalizimin e vizave për Kosovën, duke rikujtuar se edhe Komisioni Evropian ka konfirmuar dhe pritet të përsërisë se Kosova i ka përmbushur kushtet.
“Pasi Presidenca Çeke mendon se arsyet e lidhura me politikën e jashtme për liberalizimin e vizave për Kosovën janë bindëse, ajo shpreson se të gjitha shtetet anëtare të BE-së do të arrijnë pajtim të brendshëm politik për këtë çështje”, thuhet në këtë dokument. “Qasja gjeopolitike e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor është e domosdoshme. Rajoni ka nevojë për sinjal të qartë se procesi i zgjerimit të BE-së është i besueshëm dhe se BE-ja është e gatshme t’i shpërblejë përpjekjet për reforma që bëjnë vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në këtë letër./REL