Me 101 vota pro, Kuvendi zgjedh Kryeprokurorin e ri të Shqipërisë

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Kuvendi i Shqipërisë ka zgjedhur Olsian Çelën në postin e Kryeprokurorit të Përgjithshëm.

Për Çelën votuan pro 101 deputetë, kundër tij votuan 2 persona dhe 10 të tjerë kanë abstenuar.

Për Arta Markun votuan pro 11 deputetë, 22 të tjerë kundër dhe 78 abstenuan.

Ndërsa Memçaj mori 8 vota pro, 16 kundër dhe 87 kanë abstenuar.

Olsian Çela ishte kandidati i parë në listën e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Në vend të dytë u rendit Arta Marku dhe në fund Fatjona Memçaj.

Olsian Çela e nisi karrierën në vitin 2001, pas diplomimit në shkollën e Magjistraturës.

Pas tre vitesh në Prokurorinë e Tiranës, Çela emërohet te Krimet e Rënda.

Ai pati në dorë një sërë dosjesh të bujshme, duke filluar nga ajo e “Xibrakës”, ku la në burg Ermal Hoxhën dhe tetë anëtarët e tjerë të grupit, çështjen “Kompas”, që la në burg 32 trafikatë që përdornin prostitutat si korriere, vrasjen e “Mirit të Xhikes” për të cilën u dënua si bashkëpunëtor Lavdërim Tufa.

Çela ka pasur një përplasje edhe me rivalen e tij, Arta Markun, për çështjen Shullazi.

Ai refuzoi të merrte në dorë dosjen “Shullazi”, pas tërheqjes për arsye shëndetësore të prokurorit Ened Nakuçi.

Pas përplasjes me drejtuesen e Krimeve të Rënda, Donika Prelën, Marku e transferoi Çelën në Berat.

Mirëpo ky i fundit nuk u dorëzua dhe pas ankimimit, KLP e riktheu sërish te Krimet e Rënda.

Olsian Çela njeh 4 gjuhë të huaja, ka bërë trajnime në disa vende të BE për çështje të krimit të organizuar, si dhe është pikë konakti e Eurojust me prokurorinë shqiptare.

Nëse Kuvendi brenda 30 ditëve nuk zgjedh Kryeprokurorin, atë KLP do të shpallë Çelën me 459 pikë.

Olsian Çela është kandidati më favorit për të marrë drejtimin e Prokurorisë Shqiptare për 7 vitet e ardhshme, pa të drejtë rikandidimi.

Shpërndaje
Share.

Komento