Vjosa Osmani është zgjedhur ditën e sotme Presidente e Kosovës. Osmani është presidentja e 6 në radhë që nga koha e pas luftës në Republikën e Kosovës. Gjatë votimit të ditës së sotme kanë marrë pjesë 82 deputetë. Me 71 vota për në rundin e tretë të votimit, Osmani mori besimin e Kuvendit të Kosovës për të qenë në krye të shtetit për një mandat pesëvjeçar. Ndërkohë gjatë numërimit 11 vota ishin të pavlefshme.
Gjatë numërimit të votave, deputetët janë ngritur në këmbë duke duartrokitur sapo janë numëruar 61 vota pro Osmanit. Seanca për zgjedhjen e Presidentit u mbajt edhe ditën e djeshme, por dështoi në rundin e parë, pasi nuk ishin 80 vota në kutinë e numërimit. Ndërkohë pas përfundimit të votimit, Vjosa Osmani ka bërë betimin në sallën e Kuvendit dhe u shfaq duke lotuar teksa u betua.
Osmani, e cila në zgjedhjet e fundit garoi në listën e partisë Lëvizja Vetëvendosje, doli personi më i votuar në vend me mbi 300 mijë vota. Vjosa Osmani ishte pjesë e LDK-së deri para pak kohësh, kur u shkarkua më pas nga detyra. Ndërkohë kujtojmë se Osmani është e martuar dhe ka dy vajza. Para se të bëhet presidente, ajo ushtroi detyrën e shefes së shtetit pasi Hashim Thaçi dha dorëheqjen.