Mbledhja e Komisionit Hetimor për Inceneratorët, Tabaku ‘thumbon’ qeverinë: Shit Lefter Kokën, mbro gjithë të tjerët!

Gjatë ditës së sotme është mbajtur mbledhja në Komisionin Hetimor ku në fokus kishte Inceneratorët. Deputetet Ermonela Felaj dhe Jorida Tabaku kanë debatuar me tone të larta për inceneratorët e Fierit, ndërsa deputetja e PD-së nuk ka harruar të ‘thumbojë’ qeverinë për Lefter Kokën i cili akuzohet se mori 3.7 mln euro për inceneratorin e Elbasanit. Në videon më poshtë dëgjohet që Tabaku i thotë Felajt se ka konflikt interesi për inceneratorin e Fierit, ndërsa shprehet: “Shit Lefter Kokën, mbro gjithë të tjerët…” Tabaku i kujton asaj deklaratën e sekretarit të përgjithshëm të kryeministrisë gjatë një debati televiziv me deputeten Dhurata Çupi.
Kujtojmë se pas arrestimit të Lefter Kokës, i cili u arrestua për llogari të hetimit të SPAK me akuzën se ka përfituar 3.7 milionë euro në mënyrë të paligjshme nga kompanitë koncesionare të inceneratorit të Elbasanit, para që kompanitë i kanë marrë në buxhetin e shtetit, nisën hetimet edhe për inceneratorin e Fierit dhe të Tiranës. Prokurorët e çështjes janë Dritan Premçi dhe Vladimir Mara.
Ndërkohë deputetja ka reaguar edhe dje për inceneratorët. Tabaku deklaroi ditën e djeshme nga Kuvendi se kryeministri Edi Rama i ka konfirmuar pjesëmarrjen në këtë proces. Sipas saj pjese e listës së dëshmitareve është edhe ish-ministri Lefter Koka. Tabaku nënvizoi se do të bëhen vizita në të 3 inceneratorët për të cilat do të prezantohet nga një dosje.