Skip to content
Të Gjitha

Mbajti peng nënën e dy fëmijëve, zbardhet dëshmia e 32-vjeçarit nga Lushnja

· 2 min lexim

Ditën e sotme është arrestuar një 32-vjeçar nga Lushnja pasi rrëmbeu dhe mbajti për disa ditë nënën e dy fëmijëve në një dhomë hoteli.  Bëhet me dije se pengmarrësi ka detyruar me dhunë dhe kërcënime 30-vjeçaren Ersida Dyrmishi që të kryente marrëdhënie seksuale me të.

Ndërkohë që është zbardhur dëshmia e Marjus Musakut, i cili deklaron se me Ersidën kishte një lidhje sentimentale dhe gjithçka ka qenë në kuadër të dëshirës nga të dy palët.  Duke mohuar akuzat për pengmarrje, Musaku shprehet se 30-vjeçarja ka shkuar tek tek ai  “Nuk e kam mbajtur peng. Ajo ka ardhur me dëshirën e saj. Ne kemi një histori dashurie, kemi qenë bashkë këto ditë”, mësohet të jetë shprehur Musaku.

Kujtojmë që 32-vjeçari Marjus Musaku është arrestuar në vitin 2018, me të njëjtën akuzë, atë të heqjes së paligjshme të lirisë, ndërkohë që viktimë ishte ish-bashkëshortja e tij, e cila e kishte denoncuar më herët dhe për dhunë në familje.

Do të nevojitej një denoncim i ish-vjehrrit të tij asokohe, që të bihej në gjurmët e Musakut, i cili e mbante peng ish bashkëshorten po në Durrës. Në rrethana që ende nuk dihen ai ka fituar lirinë, dhe pas 4 vitesh përsërit të njëjtën histori.

Këtë herë me Ersida Dyrmishin, nënë e dy fëmijëve të mitur, me të cilën bëjnë me dije burime nga policia ka pasur njohje të mëparshme, edhe pse nuk specifikohet se cila ka qenë ajo.

Dyrmishi u mbajt peng për 9 ditë në një hotel të Durrësit, ndërkohë që familjarët kishin kërkuar dhe ndihmën e mediave dhe qytetarëve për gjetjen e saj. Musaku dyshohet se ka abuzuar seksualisht me të renë, duke e kërcënuar dhe për jetën e familjarëve të saj.

Ajo është arritur të gjendet dhe me ndihmën e policisë, ndërkohë që Musaku është vënë në pranga nën akuzat e “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shtrëngimi apo pengimi për të bashkëjetuar ose për të lidhur apo zgjidhur martesë” dhe “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura”.