Skip to content
Kryesore

Masakroi të moshuarin në Durrës, identifikohet autori i krimit

· 2 min lexim

Policia e Durrësit ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të vrasjes së Paulin Gina, një 82-vjeçar që u gjet i pajetë dhe i dhunuar me mjete të forta dhe prerëse në banesën e tij në lagjen nr.16 të qytetit.

Pas një hetimi intensiv, autoritetet kanë arritur në përfundimin se krimi është kryer nga 39-vjeçari Fation Janina, fqinj i viktimës.

Sipas të dhënave paraprake, Janina dyshohet se e ka goditur Gina-n me çekiç dhe thikë për motive të dobëta.

Pas ngjarjes, ai ka mbyllur derën e banesës së viktimës me çelës dhe është larguar në drejtim të paditur.

Hetuesit raportojnë se autori i dyshuar ishte konsumator i alkoolit dhe i papunë. Ai dyshohet të ketë hyrë në banesën e Gina-s për të grabitur, pasi kishte informacion se i moshuari kishte marrë para nga fëmijët e tij që jetonin jashtë shtetit.

Përplasja mes tyre ndodhi kur viktima bëri rezistencë ndaj autorit.

Gjatë kontrollit në banesën e Janinës, policia gjeti dhe sekuestroi si prova materiale dy thika, një çekiç dhe veshjet e përgjakura që dyshohet se autori ka përdorur gjatë krimit.

Këto prova janë dërguar në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminime të mëtejshme.

Viktima jetonte i vetëm në banesë, pasi të afërmit e tij ishin emigrantë jashtë vendit.