Që prej mbrëmjes së djeshme
e deri në orët e para të mëngjesit të sotëm vendi është tronditur nga një seri ngjarjes të rënda, ku katër persona kanë humbur jetën dhe tre të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Elbasan
Në qendër mbetet qyteti i Elbasanit ku janë regjistruar dy viktima dhe dy të plagosur.
Rreth orës 22:10 të 29 korrikut, në lagjen “Emin Matraxhiu”, u gjet i plagosur me thike 23 vjeçari Regis Runaj. Ai u transportua për në spitalin e Elbasanit, por fatkeqësisht nuk arriti t’i mbijetojë plagëve.
Runaj njihej si mik i Emiljano Ramazanit, ky i fundit u ekzekutua 11 ditë më parë në të njëjtin qytet.
Disa orë më pas, në lagjen “Lugj Gurakuqi”, tre persona janë konfliktuar me sende të forta dhe për pasojë njëri ka ndërruar jetë, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur.
Florian Lamçe, 40 vjeç, është plagosur nga Adriano Hajdari dhe Sokol Sanxhaktari. Pavarësisht se 40 vjeçari u transportua në spital, ai nuk mundi të mbijetojë, ndërkohë që dy personat e tjerë kanë marrë plagë të lehta.
Arsyet e konfliktit nuk dihen ende, por paraprakisht raportohet se personat e përfshirë kanë qenë në gjendje të dehur.
Sa i përket viktimës, Florian Lamçes, ai ka qenë më parë i dënuar me tre vite burg për akuzën e ‘pengimit të zbardhjes së vërtetës’ dhe është hetuar për dy plagosje. Ndërkohë, vëllai i tij, Olti Lamçe, është i dënuar me 24 vite burg për shkak se në vitin 2011 ka vrarë pronarin e disko “Tekila”, Almir Cani.
Shijak
Në Xhafzotaj të Durrësit dy vellëzër janë qëlluar me thikë dhe për pasojë një prej tyre ka ndërruar jetë. Mësohet se Fiqiri dhe Fadil Çalliku kishin pikasur një person që kishte hyrë në arën e tyre dhe po vidhte. Ata janë nisur për të kapur hajdutin, por ky i fundit i ka qëlluar me thikë.
Si pasojë e goditjeve, të dy vëllezërve u janë shkaktuar plagë në trup, ndërkohë që për Fiqiriun, 65 vjeç, kanë rezultuar fatale. Ai ndërroi jetë në spital, ndërsa vëllai tjetër, 63 vjeç, ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia është vënë në kërkim të autorit.
Tiranë
Brenda një banese në zonën e Farkës në kryeqytet është gjetur një person i pajetë. Bëhet fjalë për shtetasin Eugen Lazri, 37 vjeç, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri. Në trupin e viktimës janë gjetur plagë të shkaktuara nga armë zjarri, ndërkohë që vijojnë hetimet për të zbardhur detaje nga ngjarja.