Martesa luksoze e ish-Missit me bosin e kartelit të drogës/ Ku ishte zhdukur për dy vite Suada Sherifi…  

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Biznesmeni Eldi Dizdari, i njohur ndryshe edhe si “Denis Matoshi”, ishte një nga të arrestuarit e para dy ditëve si pjesë e kartelit të kokainës, që u godit nga Europol gjatë operacionit “Los Blancos”. Ai u arrestua në Dubai, ndërkohë që emri i tij u përfol në nëntor të vitit 2018 edhe si bashkëshorti i “Miss Shqipëria 2005”, Suada Sherifi, kur edhe u shpall në kërkim policor për vrasjen e ndodhur në ish-Bllok.

Ndërkaq, Policia e Dubait ka dhënë detaje për arrestimin e tij si person i përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës midis Amerikës së Jugut dhe Europës. Mediat vendëse citojnë Policinë e Dubait, sipas së cilës, shqiptari Dizdari, i kërkuar nga autoritetet italiane, u arrestua në kudër të operacionit të koduar “Los Blancos”.

Ai akuzohet për bashkëpunim kriminal dhe drejtim të bandës së trafikut të drogës në nivel ndërkombëtar. Eldi Dizdari konsiderohet nga Policia e Dubait si një udhëheqës i bandës shqipfolëse “Kompania Bello”, një sindikatë transnacionale e krimit të organizuar, e përfshirë në trafikimin e drogës dhe operacionet e kontrabandës midis Amerikës së Jugut dhe Europës, me një vlerë prej 350 milionë eurosh.

Por Panorama ka ndaluar me një artikull tek martesa e Suada Sherifit, ish-sportistes nga Vlora, e cila, si për ironi të fatit, është diplomuar për Drejtësi, ndërkohë që për bashkëshortin e saj tashmë nis një kalavar i gjatë me drejtësinë ndërkombëtare.

Vlen për t’u përmendur që deri në vitin 2018, ajo provoi parajsën e një martese luksoze, ku bashkëshorti ia kishte shndërruar jetën si në përrallë, martesë nga e cila erdhi në jetë fëmija e tyre.

Mirëpo, që nga viti 2018, Suada Sherifi “u zhduk pa gjurmë” duke mbyllur çdo rrjet social, ku ekspozonte biznesin e saj dhe jetën e luksit. Madje u zhduk edhe nga intervistat në median e shkruar dhe televizive.

Kjo për faktin se “Miss Shqipëria 2005”, Suada Sherifi, u përmend në 2018- ën në lajmet e kronikës së zezë për shkak të bashkëshortit të saj, të cilin e mbajti të fshehtë që në fillimet e lidhjes. Pasi dha disa intervista për jetën e saj luksoze si sipërmarrëse e një qendre estetike në Tiranë, Suada po përflitej më shumë për partnerin e saj sesa për anën profesionale.

Martesa luksoze me bosin e kartelit të drogës dhe zhdukja e papritur e Suada Sherifit

“Princi i kaltër” që i ndryshoi jetën

Portretin e partnerit Eldi Dizdari, me të cilin ka një vajzë, Suada Sherifi e zbuloi vetëm në qershor të 2017-ës, sigurisht jo duke zbuluar emër, por vetëm portretin e tij me atë të postimit të disa fotove familjare.

“Ne jemi fiks një moshë, por ai më bën të ndihem shumë më e vogël”, tha ajo në një intervistë katër vite më parë. Me dy identitete dhe i përfshirë në pazare droge, emri i bashkëshortit të Suada Sherifit u përmend për herë të parë në 2018-ën, pasi u shpall në kërkim nga Policia për ngjarjen e ish-Bllokut, vrasjen e 4 tetorit 2018.

“Ndoshta emri Eldi Dizdari nuk ju kujton asgjë, por nëse përmendim emrin e partneres së tij, Suada Sherifit, atëherë me siguri do të bëni menjëherë lidhjen”, shkruanin disa nga mediat online për këtë histori para dy vitesh.

Ai u shpall në kërkim nga Policia, pasi dyshohej si personi kyç në ngjarjen me një të vrarë dhe dy të plagosur. Dizdari kërkohej për të dhënë shpjegime, pasi u komentua se personi që pati një konflikt të fortë me Ervin Matën, partnerin e një tjetër vajze të famshme, këngëtares së njohur Elvana Gjata.

Sipas burimeve policore, dy djemtë patën një konflikt mbrëmjen e 4 tetorit jashtë lokalit, rreth 30 minuta para se të ndodhte përplasja me armë. Shkak i mosmarrëveshjes dyshohej një sasi e konsiderueshme kokaine.

Mata nuk i ishte përgjigjur Dizdarit për këtë ngarkesë dhe mes tyre për sqarim hyri biznesmeni Ervis Martinaj, i cili është edhe një nga dy të plagosurit në lokalin ku ndodhi ngjarja.

Grupi hetimor kishte të dhëna që flisnin për krisje të raportit miqësor Dizdari-Mata, për shkak të një sasie kokaine që nuk shkoi në destinacionin e kërkuar, ndërsa të dy të rinjtë dikur kishin qenë shokë të ngushtë.

Prokuroria kërkoi arrestimin e Dizdarit dhe duke qenë se nuk e kishte gjetur në banesë, e shpalli në kërkim biznesmenin.

Kush është Eldi Dizdari, “burri sekret” që i siguroi jetën përrallore

Mediat zbuluan se biznesmeni kishte lidhje farefisnore me një tjetër biznesmen të bërë të njohur për shkak të drogës. Eldi Dizdari njihet edhe me emrin Denis Matoshi dhe është i afërm i Arbër Çekajt, pronarit të kompanisë “Arbi Garden”, që kishte porositur kontenierët me banane nga Kolumbia, brenda të cilëve u sekuestruan 613 kg kokainë në portin e Durrësit.

Dizdari ka pasur një përplasje verbale me Ervin Matën në mbrëmjen e 4 tetorit para lokalit “Monopol”, rreth gjysmë ore para se të ndodhte vrasja brenda këtij lokali.

Në fashikujt e Prokurorisë rezultonte se një borxh financiar i pashlyer nga Mata shkaktoi grindjen mes tij e Dizdarit. Dizdari nuk ishte fizikisht në lokalin “Monopol”, aty ku ndodhi përleshja fizike dhe me armë, pasi ishte larguar në drejtim të paditur.

Ndërkohë, kjo është jeta në aksion e e tij, përveç jetës familjare që ai ndërtoi me ish-basketbollisten e Tiranës, Sherifin. Edhe pse e diplomuar për Juridik, ajo ka pasur ambicie botën e televizionit dhe kjo ishte arsyeja pse konkurroi dy herë në “Miss Albania”, deri sa arriti ta fitonte kurorën e më së bukurës në vitin 2005.

Pasi la sportin, tentoi të depërtonte në ekran, duke qenë një nga anëtaret e një paneli vlerësues të Ardit Gjebresë në programin “E Diela Shqiptare”. Ndërkohë që nisi punë si notere e licencuar, në vitin 2016 ajo deklaroi në një intervistë se kishte gjetur djalin ideal, me të cilin ishte gati të martohej.

Dhe ashtu ndodhi. Shumë shpejt vendosi të martohej me djalin moshatar dhe shtatlartë, Eldi Dizdarin, me të cilin u bënë prindër shumë shpejt. Por ndërkohë që të gjithë donin të shuanin kureshtjen se kush ishte i zgjedhuri i saj, ajo përpiqej ta mbante të fshehtë portretin, duke ia mbuluar fytyrën në çdo foto.

Deri tani numërohen me gishtat e dorës fotot që ajo ka postuar me partnerin që e komentonte si biznesmen shumë të pasur dhe që i kishte siguruar asaj një jetë superluksoze. E ftuar në emisionin “Rudina” para “zhdukjes nga qarkullimi”, Suada rrëfeu për jetën e re nëpërmjet një reportazhi që gazetarët e emisionit i kishin bërë duke e ndjekur nga shtëpia përrallore, e deri te biznesi i saj luksoz.

Më pas, ajo me anë të postimeve që bënte njoftonte ndjekësit për resortet e shtrenjta që kishte vizituar me familjen për pushime. Suada Sherifi ishte një ndër personazhet më të përfshira në rrjetet sociale, duke përcjellë rregullisht për ndjekësit momente nga përditshmëria e saj, që nuk ishte si e çdo nëne të re.

Në një nga postimet e saj ajo tregoi shtëpinë, e arreduar me shumë shije e luks. Mirëpo, kjo rezultoi thjesht një ëndërr deri në 2018-ën, kur bashkëshorti u përball me problemet me drejtësinë e deri në arrestimin e tij në Dubai para dy ditësh.

Duke zbuluar detajet e arrestimit, koloneli Saeed Al Qamzi, drejtori i Departamentit të Personave të Kërkuar në Policinë e Dubait, tha se ata e vendosën shqiptarin Eldi Dizdari nën një vëzhgim të ngushtë për disa ditë, para se të merrnin “njoftimin e kuq” kundër tij.

“Së bashku me drejtuesit e tjerë të bandave, i dyshuari arriti të kontrabandonte dhe transportonte qindra tonë drogë në Europë përmes porteve detare dhe t’i shiste ato te përdoruesit e drogës”, shpjegoi koloneli i Policisë së Dubait, Al Qamzi.

Ndërkohë, shenjat se jetonin në Dubai i dha vetë Suada para ca kohësh, e cila bëri ndonjë postim sporadik nga Dubai për t’u zhdukur sërish më pas.

foto galeri

foto galeri

foto galeri

foto galeri

/Burimi: Panorama.com.al/GazetaReforma.com/

Shpërndaje
Share.

Komento