Skip to content
Kryesore

Marjana Koçeku: Ramës ia kam thënë në sy çfarë mendoj për të, deputetë të PS më mbështetën privatisht

· 3 min lexim

Deputetja e pavarur Marjana Koçeku ka deklaruar se vendimi për t’u larguar nga Partia Socialiste ka qenë i menduar prej kohësh dhe se nuk është ndikuar nga askush, ndërsa ka zbuluar se disa kolegë socialistë e kanë mbështetur privatisht pas këtij hapi.

E ftuar në emisionin “Shqipëria Live” në Top Channel, Koçeku tha se ka mbajtur qëndrime kritike edhe kur ishte pjesë e PS, sidomos për çështjet e mjedisit, duke përmendur mbrojtjen e Drinit dhe Bunës, si edhe mbështetjen për një deputet të Partisë Demokratike në Shkodër.

Sipas saj, si deputete e pavarur do të ketë më shumë liri për të mbrojtur kauzat që beson. Ajo theksoi se largimi nga PS nuk ishte një vendim i marrë në moment, por rezultat i një procesi të gjatë reflektimi, ndërsa protestat në Theth ndikuan që të bindej se kishte ardhur momenti i duhur.

Koçeku tregoi se e kishte fikur telefonin për të mos u ndikuar nga askush dhe se vendimin e kishte konsultuar vetëm me ndërgjegjen e saj, ndërsa familja kishte zgjedhur ta respektonte.

Deputetja u shpreh se gjatë mandatit kishte paraqitur vazhdimisht kërkesa ndaj kryeministrit Edi Rama për investime dhe problematika mjedisore në zonën që përfaqësonte. Ajo tha se në një takim me të, Rama i kishte pranuar se nuk e njihte mirë zonën e Dukagjinit dhe kishte deklaruar se nuk kishte qenë kurrë atje.

Koçeku foli edhe për komentin që bëri ndaj bluzës me flamingo të veshur nga kryeministri gjatë një vizite në Shkodër, duke thënë se ishte një reagim i sinqertë në mbështetje të protestuesve dhe se Rama nuk i kishte kërkuar llogari për këtë qëndrim.

Ajo theksoi se, edhe pse kryesoi listën e PS në Shkodër, mandatin e konsideron personal, duke shtuar se mbështetja që mori në zgjedhje nuk erdhi vetëm nga elektorati socialist, por edhe nga votues të pavendosur, falë angazhimit dhe figurës së saj.

Deputetja e pavarur deklaroi se do të vazhdojë të jetë një zë kritik në Kuvend deri në përfundim të mandatit. Ajo shtoi se disa deputetë të Partisë Socialiste e kanë mbështetur privatisht dhe e kanë inkurajuar për vendimin e marrë, edhe pse nuk janë shprehur publikisht.

Koçeku tha gjithashtu se gjatë një vizite në Bruksel kishte folur për vendimin e saj dhe për protestat në Shqipëri, duke marrë, sipas saj, mbështetje.

Lidhur me reagimet për Thethin, ajo theksoi se askush nuk e ka detyruar të publikojë apo të mbajë statusin e saj në rrjetet sociale. Sipas saj, ndërhyrja në Theth ishte e gabuar për mënyrën, kohën dhe arrogancën me të cilën u realizua, pavarësisht se pranoi se në zonë kishte parregullsi.

Në fund, Koçeku u shpreh se nuk synon t’i bashkohet asnjë force politike dhe se do të mbetet deputete e pavarur. Ajo shtoi se nuk mohon arritjet e Edi Ramës, por ka zgjedhur t’ia shprehë gjithmonë kritikat si publikisht, ashtu edhe në biseda private.