Manastirliu i kthen përgjigje negative Sindikatës së Universiteteve, do të vazhdojnë online

Google+ Pinterest LinkedIn Tumblr +

Ogerta Manastirliu bëri sot me dije se universitetet do të vijojnë mësimin online deri në një urdhër të dytë. Kujtojmë që vetëm dy ditë më parë, Sindikata e Përfaqësuesve të Universiteteve në Shqipëri përmes një letre drejtuar qeverisë kërkonin vaksinimin e stafeve akademike dhe rikthimin e studentëve në auditore.

Masat anti-COVID në Shqipëri do të vijojnë të mbeten të njëjta. Ky është vendimi i Komitetit Teknik të Ekspertëve të shëndetësisë të cilët e bënë të ditur këtë të shtunë gjatë një deklarate për shtyp. Në fuqi do të qëndrojë orari i kufizimit të lëvizjes nga ora 22:00 – 06:00 si për qytetarët ashtu edhe për aktivitetin e bizneseve, bareve e restoranteve. Ndërkohë do të vijojë funksionimin vetëm shërbimi në shtëpi ‘delivery’ gjatë kësaj periudhe kohore.

Ministrja Ogerta Manastirliu tha se gjatë dy javëve të fundit është vënë re një rritje e qëndrueshme e rasteve pozitive me COVID-19 e cila nuk paraqet probleme. Ajo tha se kjo situatë është e kuptueshme dhe vjen për shkak të festave të fundvitit. Gjithashtu ajo tha se ka pësuar një rritje dhe numri i shtrimeve në spitale.

“Përsa i përket situatës epidemiologjike, komiteti duke ndjekur situatën mbi baza ditore e javore ka vlerësuar një rritje të incidencës 2 javore që ka pësuar rritje në 14 ditët e fundit. Një rritje që është 217 raste të reja për 100 mijë banorë nga 2-15 janar. Kemi një rritje të numrave të rasteve në bashki duke u rritur numri i bashkive që ka raste të reja nga 44 në 50 bashki me një mesatare të përjavshme prej rasteve të cilat vlerësohen që kanë numra të rritura. Përsa i përket numrit të pacientëve të shtruar, ballafaqohemi me një rritje të rasteve. Rritja është e qëndrueshme, nuk është alarmante. Është një situatë që tregon se duhet të kemi kujdes të shtuar dhe rritje të vigjilencës. Numrat të pacientëve të shtruar në spital ka pësuar rritje me një mesatare prej 273 shtrimesh në 14 ditë. Në radhët e terapisë intensive ka pësuar një rritje. Duke bërë një vlerësim të pozitivitetit në raport me testimet, në të gjithë vendin vijon testimi në komunitet për të izoluar çdo rast në kohën e duhur. Rritja e numrit të testimit, përmes testimit të shpejtë, vlerësohet një rritje e qëndrueshme e pozitivitetit. Kjo kërkon që qytetarët të bëjnë kujdes. Efekti i rritjes së qëndrueshme vjen dhe si efekt i festave të fundvitit nga mbledhjet familjare gjatë kësaj periudhe. Do vijojmë të kemi në zbatim masat që tashmë janë dhe që kanë dhënë impakt dhe që ka dhënë efekt.

Edhe fluturimet me Britaninë e Madhe do të vijojnë të qëndrojnë të pezulluara deri më datë 1 shkurt për shkak të shfaqjes së variantit të ri COVID.

“Fluturimet me Britaninë e Madhe do të mbeten të pezulluara deri më 1 shkurt. Më pas do të kemi një rivlerësim mbi këtë vendim”, tha Manastirliu. /Gazetareforma.com/

 

 

Shpërndaje
Share.

Komento